Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas aksidentit të rëndë në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku si pasojë e rrëzimit të një vinçi humbi jetën një i ri, ndërsa disa punëtorë mbetën të lënduar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajqinovci i shprehu ngushëllime familjes së viktimës dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit.
“Vdes një i ri pas rënies së vinçit në Prishtinë dhe disa punëtorë u lënduan pasi një kran u rrëzua në Lagjen e Spitalit në Prishtinë. Ngushëllime familjes për vdekjen e të riut, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar Bajqinovci.
Ai ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të shtojë kontrollet dhe inspektimet në të gjitha punishtet, me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme.
“Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të rrisë kontrollet dhe inspektimet në të gjitha punishtet, në mënyrë që të parandalohen aksidente të tilla dhe të mbrohen jetët e punëtorëve”, ka theksuar ai.
Bajqinovci ka drejtuar kritika edhe ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se prioritet duhet të jetë siguria e qytetarëve.
“Kryetari Përparim Rama duhet të fokusohet në problemet reale të qytetit dhe në sigurinë e qytetarëve, e jo në tema gjeopolitike”, ka shtuar Bajqinovci.