Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se pret që më 16 shtator, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, vendimi të jetë pafajësues.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Bajraktari e ka cilësuar këtë si një prej proceseve më të mëdha dhe më të rëndësishme gjyqësore, për shkak të peshës që, sipas tij, ka për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
“…Në bindjen time, është legjitime, dhe fundi i procesit do të jetë pafajësia e tyre. Është padiskutim procesi më i madh gjyqësor, më i rëndësishëm gjyqësor dhe proces në të cilin gërshetohen tri momente, e tashmja e vendit, e kaluara, pjesa më e ndritur, më e lavdishme e popullit shqiptar, sidomos e Kosovës në veçanti, por sigurisht që ky vendim do të ketë impakt edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Bajraktari.