Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar, duke e cilësuar gjendjen si kundërkushtetuese.
Bajraktari ka thënë se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet sa më parë, por jo më vonë se 30 ditë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
“Kur kundërkushtetutshmëria dhe kundërligjshmëria normalizohen. Tashmë, është e qartë se konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet sa më parë, por jo më vonë se 30 ditë nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Ky afat ka kaluar dhe konstituimi nuk ka ndodhur, pra, jemi në një gjendje kundërkushtetuese”, ka shkruar ai.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për ushtrimin e funksioneve të tjera nga personat që njëkohësisht mbajnë mandatin e deputetit, duke theksuar se një situatë e tillë është e papajtueshme me këtë mandat.
“Po ashtu, është e qartë se askush nuk mund të jetë njëkohësisht deputet/e dhe të ushtrojë funksione të tjera të papajtueshme me mandatin e deputetit, përfshirë funksionin e anëtarit/es së Qeverisë. Edhe kjo, ndërkohë, po ndodh”, ka deklaruar Bajraktari.
Sipas tij, më shqetësuese është mënyra se si kjo situatë po trajtohet nga institucionet dhe shoqëria, pasi, siç thotë ai, po krijohet përshtypja se shkeljet kushtetuese dhe ligjore janë bërë diçka e zakonshme.
“Më shqetësuese është se po sillemi sikur gjithçka është normale. Kur kundërkushtetutshmëria dhe kundërligjshmëria fillojnë të trajtohen si diçka e zakonshme, atëherë nuk po normalizohet shkelja vetëm e Kushtetutës dhe e ligjit, por po normalizohet edhe shkelja e rendit kushtetues dhe institucional”, ka shkruar ai.
Bajraktari ka vlerësuar se pasojat e kësaj situate janë edhe më serioze sesa vetë shkeljet kushtetuese.
“Kjo gjendje është shumë më shqetësuese se vetë shkelja e Kushtetutës”, ka shtuar ai.