Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me diskutimet për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se reagimet për këtë çështje nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga ajo që ai e quan thelbi i problemit.
Bajraktari ka theksuar se përtej ndryshimeve që mund t’i bëhen ligjit, duhet të diskutohet edhe mënyra se si është ushtruar mandati i kësaj gjykate dhe nëse janë respektuar ligji, rregullat dhe standardet e gjykimit të drejtë.
“Reagimet lidhur me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nuk duhet të na bëjnë ta humbim thelbin. Çështja nuk është vetëm çfarë ndryshimesh i bëhen ligjit, por si është ushtruar mandati i kësaj gjykate dhe sa janë respektuar ligji, rregullat dhe standardet e gjykimit të drejtë”, ka shkruar Bajraktari.
Sipas tij, shqetësimi shkon përtej debatit aktual për ndryshimet ligjore, pasi, siç ka deklaruar ai, bëhet fjalë edhe për mënyrën e funksionimit dhe llogaridhënien e gjykatës.
“Shqetësimi është më i thellë: një gjykatë që funksionon pa llogaridhënie, që shfaq hapur afërsi me Prokurorinë, u jep peshë provave të siguruara nga një regjim që ka ushtruar gjenocid dhe, përmes vendimeve të saj, rrezikon të ndikojë në riformësimin e narrativës historike të një populli”, ka thënë ai.
Bajraktari ka vlerësuar se këto çështje nuk duhet të anashkalohen, duke kërkuar qartësim të mandatit të gjykatës dhe forcim të garancive procedurale.
“Këto nuk mund të anashkalohen. Ato kërkojnë qartësim të mandatit të gjykatës, forcim të garancive procedurale dhe respektim strikt të rregullave bazë të drejtësisë”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka theksuar se pavarësia e gjykatës, sipas tij, nuk nënkupton mungesë të llogaridhënies dhe se mandati i saj nuk mund ta vendosë atë mbi ligjin.
“Pavarësia e gjykatës nuk është mungesë llogaridhënieje. Mandati nuk e vendos gjykatën mbi ligjin”, ka shkruar ai.
Bajraktari ka kërkuar që standardet e njëjta të vlejnë si për Kosovën, ashtu edhe për institucionet e krijuara në emër të drejtësisë.
“Nëse nga Kosova kërkohet respektim i zotimeve ndërkombëtare, të njëjtin standard duhet të kërkohen edhe nga institucionet e krijuara në emër të drejtësisë. Drejtësia nuk mbrohet duke mbrojtur gjykatën nga kritika. Drejtësia mbrohet duke kërkuar që edhe gjykata t’i nënshtrohet drejtësisë”, ka shtuar Bajraktari.