Bajraktari: Prezencë e panevojshme e forcave të shumta të rendit në një vizitë thjesht humanitare

Prishtinë | 13 Mar 2025 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Pas shumë përpjekjesh dhe kërkesash të refuzuara, më në fund Gjykata Speciale ka lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi që të vizitojë babanë e tij të sëmurë, raporton Ekonomia Online. 

Kjo vizitë humanitare, është cilësuar si një hap pozitiv, por edhe si dëshmi e qasjes së padrejtë që ka ndjekur deri tani Gjykata Speciale.

Avokati Ardian Bajraktari, duke komentuar këtë zhvillim, e ka cilësuar vizitën si një kërkesë legjitime dhe të bazuar në rregulloret dhe standardet që vetë Gjykata i ka vendosur më parë, duke shtuar se vonesat e mëparshme dhe refuzimet e mëparshme ishin të pabazuara.

“Është një kërkesë legjitime dhe tejet humane dhe mbi të gjitha e bazuar në rregulloret, procedurat dhe provat. Dhe po ashtu e bazuar në standardin që e kanë vendosur në disa raste Dhomat e Specializuara, prandaj vlerësoj që, ndonëse paksa e vonuar, kjo vizitë për shkakun se siç dihet kemi pasur disa kërkesa, të cilat në bindjen time janë refuzuar pa bazë. Gjykata Speciale më në fund reflektoj në raport me kërkesën legjitime dhe u realizua një vizitë tek prindi i tij, i cili përveç që në moshë të shtyrë është në gjendje të rënduar shëndetësore, siç është konfirmuar nga familjarët e tij”, ka thënë ai.

Një aspekt tjetër i kësaj vizite që ka ngritur shqetësime është prania e forcave të rendit në mënyrë të konsiderueshme, që sipas avokatit, ishte e paarsyeshme. 

“Sa i përket kësaj çështjeje, me sa kemi pare, Gjykata Speciale, natyrisht, që është si çdo gjë që e karakterizon mungesa e theksuar e transparencës ata vetëm e kanë konfirmuar një vizitë të tillë. Mbetet të shihet në orët në vazhdim nëse duhet të lejohet të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë ose do të duhej të rikthehej. Ajo çka në fakt pamë ishte një prezencë e panevojshme e forcave të rendit, ngase ishte joproporcionale për faktin se vizita shkoi shumë korrekte dhe u realizua një vizitë humanitare. Sa i përket vizitave edhe si kjo, por edhe të tjera, paraprakisht i ka karakterizuar le të themi masa bukur e ashpra, bukur rigoroze, që në bindjen time, kanë qenë të panevojshme për faktin se ish- krerët e UÇK-së që nga momenti i parë janë ballafaquar me akuza, i kanë respektuar të gjitha rregullat, të gjitha urdhrat e Gjykatës. Vlerësoj që edhe kjo vizitë e vonuar u realizua jashtëzakonisht mirë dhe tashmë ish-presidenti e ka parë babanë e tij që është në gjendje të rënduar shëndetësore”, ka thënë avokati Bajraktari. 

Ai theksoi se ish-krerët e UÇK-së kanë respektuar çdo rregull dhe urdhër të Gjykatës që nga dita e parë, ndaj masa të tilla të ashpra dhe rigoroze për vizita të tilla janë të pajustifikueshme.

“Refuzimet kanë qenë të pabazuar për faktin se , siç e thashë, ka bazë në rregulloren e procedurës dhe të provave është rregulla 56, që i mundëson një të paraburgosuri që për shkaqe humanitare të realizoj vizita të tilla. Edhe fakti që shkoi vizita jashtëzakonisht mirë deri në këtë fazë vlerësoj që është një dëshmi shtesë që arsyetimet, përkatësisht refuzimet nga ana e Dhomave të Specializuara  të kërkesave të mëparshme kanë qenë absolutisht të pabazuara, absolutisht johumane”, ka thënë avokati Bajraktari për EO. 

Të ngjashme