Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve të Klan Kosovës se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është qortuar nga shefat e Misioneve të BE-së për mosrespektimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit, si dhe se ndaj tij ka pasur pakënaqësi të theksuara.
BE-ja ka thënë se nuk do ta takojnë më Kurtin në ambientet e Qeverisë.
Ndërkaq Bajrami, në reagimin e saj në Facebook, tha se ky zhvillim e tregon qartë se kryeministri në detyrë dhe deputetët e Vetëvendosjes po mbajnë kundërligjshëm pozitat qeveritare.
“Albin Kurti me shpejtësi po e çon drejt kolapsit Shtetin e Kosovës. Sot u publikua edhe letra e nënshkruar nga ambasadori i BE-së në Kosovë që izolon deputetin Albin Kurtin dhe gjithë shkelësit e tjerë të ligjit e Kushtetutës që po mbajnë kundërligjshëm pozitat qeveritare”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e LDK-së theksoi se partia e saj tashmë ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale 17 kallëzime penale ndaj deputetëve që ushtrojnë edhe pozitë ministri dhe pret reagim nga organet e drejtësisë, raporton Klankosova.tv.
Tutje ajo shkroi se dështimet e Kurtit për të formuar qeverinë dhe për të siguruar marrëveshje politike e kanë bllokuar vendin dhe e kanë futur në krizë institucionale.
“Tani është kristal e qartë që z. Kurti ka dështuar të jetësojnë besimin e qytetarëve të marrë me 9 shkurt. Kanë dështuar të ndërtojnë marrëveshje politike derisa kanë vendosur të mbajnë peng Qeverinë e të bllokuar Kuvendin. “Dështimet e Albin Kurtit për të imponuar kandidatin për kryeparlamentar, dështimi i Albin Kurtit për të formuar Qeverinë janë bërë barrë për shtetin dhe gjithë qytetarët”.
“Bllokuesi, dështuesi dhe fajtori për gjithë këtë situatë është Albin Kurti dhe Vetëvendosja”, ka shkruar Bajrami.