Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pas vendimit të ZRRE-së për ta shtyrë deri më 1 maj 2026 miratimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, duke theksuar se pavarësisht këtij afati, barra financiare bie gjithsesi mbi qytetarët.
Sipas saj, edhe pse çmimet mbeten të pandryshuara për momentin, realiteti ekonomik është i qartë vetëm në vitin 2025 vendi ka importuar rreth 259 milionë euro energji elektrike, kosto që do të duhet të paguhet nga taksapaguesit.
Bajrami thotë se mënyra e pagesës ndryshon në varësi të momentit zgjedhor.
Ajo paralajmëron se nëse vendi hyn në periudhë zgjedhore, Qeveria mund të subvencionojë pjesën më të madhe të kostos nga buxheti para që, sipas saj, janë të qytetarëve. Por, nëse nuk ka zgjedhje afër, atëherë rritja e çmimit do të reflektohet drejtpërdrejt në faturat e energjisë nga 1 maji.
“Si në njërin rast, ashtu edhe në tjetrin, jemi ne ata që paguajmë në fund, sepse qeveria nuk krijon para; vetëm i merr taksat dhe kontributet e gjithsecilit, e pastaj i shpërndan sipas interesit politik e elektoral, siç ka bërë që gjashtë vjet,” ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka kritikuar ZRRE-në dhe Qeverinë për, siç thotë, lidhjen e vendimeve mbi çmimin e rrymës me kalkulime politike dhe jo me interesin afatgjatë të qytetarëve.