Bajrami – deputetëve të VV-së: Mos u frikësoni nga nisma për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë

Prishtinë | 11 Maj 2025 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, për qasjen e saj ndaj nismës parlamentare që synon kundërshtimin e vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që sjell shtrenjtimin e tretë me radhë të çmimit të energjisë elektrike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajrami e ka ftuar Kusari-Lilën dhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes të mos frikësohen nga kjo nismë, duke theksuar se detyra parësore e deputetëve është “mbrojtja e interesit publik”.

“Nga partia që e ka blloku Kuvendin nga 15 prill nuk pritet ndryshe, sikur të mendonin për qytetarët dhe bizneset znj. Kusari-Lila dhe të tjerët ne sot nuk do të ishim në këtë situatë. Megjithatë nuk kanë asnjë arsye të frikësohen nga nisma e deputetëve për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim që t’i kërkohet ZRRE-së shfuqizimi ose shtyerjën e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ju rikujtoj se përfaqësuesit e qytetarëve kanë detyrimin të mbrojnë interesin publik, dhe nënshkrimi i kësaj nisme do të ishte veprim i drejtë dhe në përputhje me këtë përgjegjësi.

Për nënshkruesit e kësaj kërkese vota e marrë është përgjegjësi, jo shansë me lujtë me vullnetin e qytetarëve e me blloku institucionet”, ka shkruar Bajrami në Facbook.

Të ngjashme