Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë Danijela Barišić.
Bajrami e informoi ambasadoren Barišić me punën e Qeverisë së Kosovës lidhur me programin për rimëkëmbje ekonomike si dhe me prioritetet në kuadër të agjendës integruese evropiane duke u ndalur tek masat që bien në kompetencë të Ministrisë së Financave.
Ministrja Bajrami falënderoi ambasadoren Barišić për angazhimin e shtetit kroat në mbështetje të shtetit të Kosovës, dhe shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave për të thelluar bashkëpunimin me këtë vend mik të Kosovës në fushën e ekonomisë dhe financave.
Nga ana e saj, ambasadorja Barišić e uroi Bajrami për pozitën e Ministres së Financave, dhe shprehu gatishmërinë e shtetit kroat për të mbështetur Kosovën në procesin e integrimeve evropiane si dhe zhvillimit ekonomik.