Bajrami kritikon Kurtin për moszgjidhje të problemit për presidentin

Prishtinë | 02 Mar 2026 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Hykmete Bajrami nga LDK ka kritikuar Kurtin se nuk do të bëjë zgjidhje dhe se takimet mes tij dhe opozitës pa një emër konkret tregon se nuk dëshiron zgjidhje.

“Kurti takon që dy herë kryetarët e LDK-së dhe PDK-së pa dhënë asnjë propozim, asnjë emër, takime sa për t’i treguar njëri-tjetrit që nuk përkrahin kandidatë partiakë”, tha Bajrami në një postim në fb.

Ajo tha se nëse Kurti mendon me zgjedhë president me shantazh duhet të mendohet dy herë.

“LVV e cila bashkë me minoritete i ka 66 vota në Kuvend, është përgjegjësja kryesore për zgjedhjen e presidentit dhe i ka pasur dy alternativa: e para duke e bërë pjesë të Qeverisë ndonjëren prej partive politike në mënyrë që më vonë të siguroheshin votat edhe për president ose tani duke propozuar një president apartiak – një që pranon të bëhet president. Por, Kurti as s’e ka bërë të parën as s’po e bën të dytën dhe nëse mendon që ka me zgjedhë president me shantazh duhet të mendohet dy herë, se gjasat janë reale që nuk përsëritet më 2021-ta”, shtoi ajo.

Zgjedhjet tha ajo ndër tjera nuk janë zgjidhje sepse sipas saj janë shpenzuar miliona euro.

“E nëse shkojmë në zgjedhje krejt e dimë që zgjedhjet nuk janë zgjidhje: kemi me mbetur pa institucione funksionale me muaj të tërë, me shpenzu prapë dhjetëra miliona euro taksa të qytetarëve dhe do të vijmë saktë në pikën ku jemi sot – kjo është papërgjegjësi totale”, shtoi Bajrami.

“Kosova nuk guxon të mbetet peng i dy as tre emrave për president, jam e sigurt, se ka burra e gra me dije e integritet jashtë partive politike më shumë se brenda tyre, vetëm duhet vullnet e guxim, duhet me qënë në gjendje me vendosë interesin e vendit e interesin e qytetarit para atij personal e të partisë” tha Bajrami në fb.

Të ngjashme