Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësim për sjelljen e Qeverisë karshi përfaqësuesve të sindikatave. Bajrami tha asnjë nga pjesëtarët e Qeverisë nuk e ka pritur në takim për të pestën herë Jusuf Azemin, i cili përfaqëson komplet të punësuarit në sektorin privat.
Ajo tha se diskursi i kryeministrit Kurti dhe pjesëtarëve të Qeverisë karshi sindikatave është i paparanueshëm.
“Diskursi i kryeministrit Kurti dhe pjesëtarëve të Qeverisë karshi sindikatave është i paparanueshëm dhe i befasishëm nga një qeveri e majtë siç jeni ju. Të gjitha qeveritë kanë pasur problem me sindikatat, kemi pas kërcënime të lloj-llojshmë nga sindikatat dhe ka pas edhe greva. Por me gjithë punët që kemi pasur i kemi pritur që të diskutojmë, kemi tregu gjendjen buxhetore dhe në shumicën e rasteve e kanë kuptu një situatë të tillë. Kemi diskutu gjerë e gjatë edhe me sindikatën e punëtorëve të sektorit privat, edhe ai e ka kuptu situatën. E pash në media që z. Jusuf Azemi ka kërku për të pestën herë me u taku me pjesëtarët e qeverisë dhe ai përfaqëson komplet të punësurit në sektorin privat dhe ju nuk keni gjetur kohë asnjë nga pjesëtarët e kabinetit që ta takojë”, tha Bajrami në Kuvend.
Tutje ajo tha se Qeveria është dashur ta sjellë një version të ri të Ligjit për Pagat. “Nëntë muaj mandat është dashur t’i mjaftojnë qeverisë aktuale të sjellë një version të ri të Ligjit të Pagave. Është e rëndësishme të sjellet një ligj i ri në Kuvend dhe të punohet në bashkëpunim të plotë me sindikatat”, u shpreh ajo.