Bajrami: LVV e ka kthyer vendin në kohën e UNMIK-ut, po e mban shtetin peng

Prishtinë | 07 Maj 2025 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për rikthimin e vendit në praktikat e kohës së UNMIK-ut dhe për krijimin e një krize institucionale të qëllimshme.

“Vendin në kohën e UNMIK-ut e para asaj kohe e ka kthyer LVV, sepse në kohën e UNMIK-ut: nuk ka pasur sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës, zyrtarët shtetërorë janë përgjigjur institucioneve të drejtësisë e nuk i kanë mohuar ato, politikanët që kanë shkelur Kushtetutën kanë dhënë dorëheqje, nuk kanë marrë institucionet peng, Kuvendi nuk është mbledhur 12 herë me radhë për të dështuar në zgjedhjen e kryetarit,” ka deklaruar Bajrami.

Ajo ka kritikuar gjithashtu LVV-në për pranimin e marrëveshjeve me Serbinë, duke theksuar se përmes tyre i është referuar edhe Rezolutës 1244 – bazë e funksionimit të UNMIK-ut.

“Sot, Kosova është në krizë sepse LVV nuk pranon që s’po mund të bëjë shumicën, LVV sot e mban shtetin peng, sepse ata e kanë interesin e partisë para interesit të shtetit, e interesin personal mbi interesin qytetar,” ka shkruar ajo.

Bajrami ka theksuar se LDK-ja nuk po e imponon propozimin për Qeveri Transitore, por se kjo është një përpjekje për zgjidhje dhe në të mirë të qytetarëve.

“Mos e pranoni propozimin tonë, është e drejtë e juaja, ne nuk imponojmë, ne kemi propozuar zgjidhje, urdhëro e bëjeni shumicën e mos u tallni me shtetin dhe me qytetarët. Propozimi për Qeveri Transitore përmes marrëveshjes nuk është kundër askujt por është në të mirë të të gjithë qytetarëve,” ka përfunduar deputetja e LDK-së.

Të ngjashme