Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e ka akuzuar Ministrinë e Financave që buxhetin e planifikuar me Ligj për këtë vit e ka 3.2 miliardë euro, por sot e kësaj dite i mbanë të bllokuara 37.5 milionë euro, mjete këto vetanake të komunave.
Bajrami ka shkruar në Facebook se si pasojë, janë qindra projekte kapitale që komunat as nuk mund t’i iniciojnë, sepse ministri i financave, Hekuran Murati, nuk lejon Thesarin ta bëj alokimin e mjeteve financiare.
“Kush i ka fajet”, ka shkruar ajo.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë ka thënë se Ministria që udhëheq nuk është duke bllokuar të hyrat vetanake komunale.
Ai në seancën e Kuvendit, e sqaroi edhe gjithë procesin teksa tha se po manipulohet me Ligjin për Buxhetin.
“Po manipulohet se çfarë ka ligji i buxheti, MF-ja nuk ka problem me interpretime të buxhetit aty shkruan shumë mirë se të hyrat vetanake komunale nga viti 2022 barten në vitin 2023, opozita LDK-ja në këtë rast po kushtëzon barti edhe të hyrat e viteve paraprake kështu duke shkelur ligjin pasi kjo nuk parashihet në ligj. Këta pikërisht për këtë e kanë bërë një amendament kur ka qenë votimi në lexim të dytë i ligjit të buxhetit dhe patën thënë që e kanë rregulluar këtë çështje tash po del që s’është ashtu. Unë kërkoj që LDK-ja nëse kërkon të zbatohet duhet të ketë amendament të ligjit, Ministria e Financave nuk është duke e blloku procesin”, tha ai.