Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se në çdo shkollë ka mungesa të librave shkollore, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e stome, ku po diskutohet për themelimin e një komisioni hetimor në fushën e arsimit, ajo e ka sfiduar Ministren Arbërie Nagavci, që të dalin bashkë dhe ta vërtetojnë këtë gjë.
“Ju po thoni që nuk ka ankesa nga drejtoritë komunale të arsimit. Nuk kanë more ku ankohen drejtoritë komunale të arsimit. Ju jeni qeveria që me vite ua keni blloku të hyrat vetanake. Unë ju sfidoj juve sot, eja dalin në shkollën më të afërt në Prishtinë, shkojmë bashkë, në cilëndo klasë, në cilëndo orë dhe ju garantoj që në mesin e 30 nxënësve ka me pasë nxënës që nuk i kanë të gjitha librat”, ka thënë Bajrami.
Ish-ministrja e Arsimit i ka kërkuar ministres Nagavci të tregojë se sa ka kushtuar subvencionimi i librave për vitin 2023-2024.
“Pyetja që tu ka parashtruar nga secili deputet i opozitës është: sa ka kushtu furnizimi i teksteve, sa ka kushtu subvencionimi për vitin shkollor 2023-2024? Dhe a është metoda e njëjtë, të cilin ju do ta përdoroni edhe për subvencionim të teksteve për vitin 2024-2025”, ka thënë ajo.