Bajrami në diplomimin e studentëve të UP-së, kemi një rini inteligjente

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 18:24 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë sot në ceremoninë solemne të diplomimit të qindra studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila u organizua në Sallën “1 Tetori” në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, i uroi studentët e diplomuar në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit, duke iu uruar atyre vazhdim të suksesshëm të karrierës akademike, ndërsa tha se nuk ka gjë më të shenjtë se sa të festosh diplomimin e një gjenerate, të një rinie akademike.

“Padyshim që akti i diplomimit është vetëm gjysma e rrugës së një ëndrre tuaj, një ëndrre që keni filluar kur jeni regjistruar në studime dhe tani këtë ëndërr ju vazhdoni që ta bëni realitet duke u punësuar, duke ndërtuar karrierën dhe duke vazhduar studimet, sepse ne kemi nevojë për gjenerata të reja të përgatitura, të cilat nesër do të ndihmojnë edhe në zhvillimin ekonomik dhe në tranzicionin e përgjithshëm demokratik”.

Bajrami theksoi se Kosova ka një rini inteligjente dhe studentët janë fuqia e një universiteti. Ai shtoi të gjithë jemi të detyruar që para kësaj rinie të punojmë për të ofruar një edukim cilësor dhe të avancuar, në mënyrë që nesër të bëhemi plotësisht të barabartë dhe krenarë në familjen e gjerë të Bashkimit Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme