Bajrami: Në shtator çmimet u rritën për 7.8%, krejt çka pamë këto 6 vjet është rritja e çmimeve

Prishtinë | 15 Tet 2026 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për rritjen e çmimeve në Kosovë, duke thënë se gjatë gjashtë vjetëve të fundit nuk janë ndërmarrë reforma strukturore dhe fiskale për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe bizneseve.

Bajrami iu referua të dhënave për rritjen e çmimeve në shtator, që sipas saj arriti në 7.8 për qind.

“Asnjë reformë strukturore, asnjë reformë fiskale që ua lehtëson jetën qytetarëve dhe bizneseve. Krejt çka kemi parë që 6 vjet është rritja enorme e çmimeve”.

Ajo tha se qytetarët dhe bizneset po paguajnë gjithnjë e më shumë për mallra dhe shërbime, ndërsa Qeveria po përfiton nga rritja e të hyrave prej Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe tatimeve të tjera.

Sipas Bajramit, Qeveria është shndërruar në një “inkasante dhe shpërndarëse populliste të buxhetit”.

“Çdo rritje e çmimeve do të thotë më pak produkte në shportën e konsumit. Qytetarët po paguajnë më shumë, por po blejnë më pak!”, ka shkruar ajo.

Bajrami e ka cilësuar qeverisjen si të dështur.

Të ngjashme