Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në seancën e Kuvendit ka thënë se s’mund të bëhet ligj me të cilin u cakton marzhën e fitimit tregtarëve.
Bajrami tha se me Kushtetutën e Kosovës, vendi është ekonomi e tregut të lirë, dhe si e tillë është e pamundur t’iu caktohet marzha e fitimit.
“Ne si Kosovë nuk e prodhojmë mjaftueshëm asnjë produkt bazë. Si ekonomi e tregut të lirë me Kushtetutën që e kemi me kapacitete e munguara që i kemi ne mundemi me lëvizë me politika tatimore, ne mundemi me ulë taksa, me heqë akcizën për me ju dalë në ndihmë qytetarëve por harrojeni se mund të bëni ligj me ju caktu tregtarëve në ekonominë e tregut të lirë, neni 10 i Kushtetutës e thotë ku oferta dhe kërkesa e cakton çmimin që ne mundemi me ju caktu neve marzhën. Konkurrenca i bën çmimet, e ju Autoritetin e Konkurrencës nuk e keni funksionalizu deri më tash”, tha ajo.
Bajrami tha se nëse u caktohet ligj tregtarëve të sheqerit ose të miellit, ata s’importojnë rrjedhimisht vendi mbetet pa këto produkte.
“Po ju bëjë me dije që Kushtetuta e Republikës së Kosovës s’ka ndryshuar, neni 10 është në fuqi, ne jemi ekonomi e tregut të lirë. Thatë me hartu një ligj për me e caktu marzhën e fitimit për produktet bazë. Kosova nuk prodhon sheqer, caktojani marzhën importuesve të sheqerit, cka bëjnë tregtarët nuk importojnë sheqer dhe në Kosovë s’ka sheqer a është masë kjo, ndërkohë masa që kemi propozuar ne, është në video zoti kryeministër që ka qenë në opozitë dhe konkurronte për t’u bërë kryeministër thoshte që qumështi me qeverinë e VV-së do të kushtojë më lirë sepse do ta bëjë TVSH-në zero. Nëse importuesit e miellit vendosin që me marzhën që e caktoni ju nuk kanë fitim, kush mund t’i detyrojë ata me importu”, tha Bajrami.
Ish-ministrja e Financave, tha se marzhë të fitimit mund t’i caktohet KEK-ut.
“A e din kujt mundemi me i caktu marzhë të fitimit, KEK-ut, 35 euro edhe pse ZRrE-ja e ka shtrenjte në bashkërendim me qeverinë çmimin e rrymës, ende KEK-u ia shet KEDS-it 35 euro sepse e prodhojmë vet”, tha ajo.