Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se ka propagandë e jo luftë kundër korrupsionit.
Këtë reagim e ka bërë pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International.
“Sot, Transparency International publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023. Sipas këtij raporti Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar edhe në vitin 2022. Kosova vendin e 83-të në ranglistën botërore e ndan me Burkina Fason, Afrikën e Jugut dhe Vietnamin. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është pas Malit të Zi që rënditet në vendin e 63, dhe pas Maqedonisë së Veriut që rënditet në vendin 76”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se nuk ka si të ketë vlerësim ndryshe, kur sipas raportit të Komisionit Evropian, në vitin e fundit janë lidhur 2140 kontrata njëburimore.
“Nuk ka si me pasë vlerësim ndryshe kur në raportin e fundit për vendin të Komisionit Evropian (fq. 71-72) thuhet se vetëm në vitin e fundit janë lidhë 2140 kontrata pa publikim të tenderit dmth. me negocim të drejtëpërdrejtë/njëburimore. Ka propagandë, nuk ka luftë kundër korrupcionit!”, ka shkruar ajo.