Bajrami reagon pas videos së VV-së: Qeveria Kurti më e dështuara që nga paslufta

Prishtinë | 25 Mar 2025 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Hykmete Bajrami nga LDK  ka reaguar rreth një video që e ka publikuar Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me qeverisjen katër vjeçare të kësaj të fundit.

Bajrami ka thënë se se Qeveria e VV-së është qeveria më e dështuar prej pasluftës.

Ajo ka renditur dëmet, që siç ka thënë kjo Qeveri ia ka bërë vendit në këto katër vjet. Bajrami ka përmendur sanksionet e BE-së, asnjë njohje në katër vjet e asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Bajrami ka thënë se Kosova nuk ka qenë kurrë më e izoluar sesa tani. Ajo ka përmendur edhe dialogun me Serbinë duke theksuar se Kurti i ka lënë trashëgimi Kosovës Marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe ka pranuar draft-asociacionin e komunave me shumicë serbe që çon drejt federalizimit të vendit.

Ajo ka përmendur edhe skandalet e korrupsionit e kontratat njëburimore, duke përmendur këtu rastin e Nagip Krasniqit, Martin Berishajt, e Naser Hafizit.

“Kjo qeveri shquhet për skandale të korrupsionit. Në më pak se një mandat ka nënshkruar 2,123 kontrata njëburimore. Skandalet me tenderat e KEK-ut, ku njerëz pa asnjë funksion vendosin për tendera milionësh mandej rasti i Nagip Krasniqit, rasti i Martin Berishajt, rasti i Naser Hafizit, rasti i subvencioneve në MBZHR, rasti i subvencioneve në MKRS, rasti i subvencioneve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe dhjetëra raste të tjera, të cilat edhe sot e kësaj dite merren në mbrojtje prej Albinit e poshtë, tregojnë se qeveria e LVV-së është qeveri e korruptuar dhe asnjë tentativë për të luftuar korrupsionin s’ka pasur – përkundrazi.

Duke marrë parasysh këto nivele të korrupsionit, këta s’kanë qenë të interesuar të bëjnë as Vetting dhe as Byro për Konfiskim të Pasurisë. Këta katër vite kanë tentuar ta kapin sistemin e drejtësisë duke politizuar si KPK-në, ashtu edhe Byronë, në mënyrë që t’i mbrojnë të korruptuarit e tyre.

Është pikërisht kjo qeveri që ka shkelur 10 herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajrami.

Të ngjashme