Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami ka thënë se bursat për studentët e universiteteve publike do të vetëm sipas kritereve ligjore.
Bajrami ka thënë se thirrjet e disa organizatave për uljen e kriterit të notës mesatare nuk ka mundësi të ndryshohet.
“Është hapur konkursi për bursa për studentët e universiteteve publike. Janë përcaktuar kriteret ligjore dhe të njëjtat janë publikuar në njoftimet e MASHTI-it. Jam duke i lexuar reagimet dhe paralajmërimet e disa organizatave studentore se do të protestojnë pse s’e kemi ulur kriterin e notës mesatare. Nuk ka mundësi të ndryshohet ky kriter pasi është i përcaktuar me bazë ligjore”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka thënë po ashtu se thirrjet për protestë janë thirrje për të mos respektuar ligjin.
“Thirrjet e juaj për protestë me kauzën që MASHTI duhet të ulë kriterin e notës mesatare për disa fakultete janë thirrje për të mos e respektuar ligjin. Nuk do ta bëj një gjë të tillë asnjëherë”, është shprehur Bajrami.