Bajrami thotë se janë duke e shqyrtuar mundësinë për mbajtjen e mësimit virtual

Prishtinë | 13 Mar 2020 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se është duke u shqyrtuar mundësia për mbajtjen e mësimit virtual.

Përmes një postimi në Facebook ka shtuar se menjëherë pas marrjes së masave për ndërprerjen e mësimit në të gjitha nivelet, kanë filluar edhe kontaktet me operatorët ekonomik të cilët mund të ofrojnë ekspertizën e tyre, platformat apo infrastrukturën që mundëson mësimin online.

“Deri tani kemi inicuar kontakte me përfaqësuesit e Microsoft, Gjirafa.com, Edukimi.net dhe LinkPlus, të cilët i falënderojmë për gatishmërinë e treguar për të mundësuar aplikimin e këtij formati të mësimit. Në ndërkohë, kabineti është duke identifikuar edhe operatorë tjerë potencial që do të mund të ndihmonin në organizimin e mësimit alternativ nga distanca në këto rrethana”, ka shkruar ajo.

Ajo ka bërë thirrje që të gjithë ata që mund të ofrojnë kontribut në këtë proces, të lajmërohen në MASHTI.

“Po ashtu, kemi vendosur kontakte me Institucionet e Arsimit të Lartë dhe po analizojmë metodat më të mira që mund të aplikojmë për ofrimin e mësimit për të gjithë studentët. Ministria do të angazhohet që kjo formë e mësimit alternativ të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme në aspektin teknik dhe përmbajtjesor, duke pasur parasysh rrethanat ekzistuese”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme