Ministri Hekuran Murati ka bërë propagandë në Gjakovë kur ka thënë se rritja ekonomike në të kaluarën ka ardhur nga borxhet e marra nga shteti, thotë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, raporton Ekonomia Online.
“Dje, Hekuran Murati paska mbajtë një ligjëratë propaganduese në Gjakovë. Ai u mundua t’i bindë gjakovarët se rritja ekonomike në të kaluarën ka ardhur nga borxhet e marra nga shteti – sipas tij 1.5 miliardë euro. Madje po krenohet se qeveria e tij nuk po bën të njëjtën gjë.”, ka shkruar ajo.
Bajrami thekson se Qeveria nuk ka ndërtuar asgjë me paratë e marra borxh, pasi sipas saj nuk ka pasur investime kapitale.
“Politikat e qeverisë kanë futur qytetarët në borxh. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kreditë në banka në fund të dhjetorit 2024 kanë arritur shumën pre 5.668 miliardë euro. Vetëm në vitin 2024 janë shtuar 768 milionë euro kredi të reja.”, ka thënë ajo duke shtuar se në të kaluarën shteti merrte borxh dhe ndërtonte infrastrukturë ndërsa sot qytetarët po marrin borxh për të mbijetuar.
Bajrami thekson se qeveria po përpiqet të mashtrojë me numra.
“Pra, në të kaluarën shteti merrte borxh dhe ndërtonte infrastrukturë për qytetarët. Sot, qytetarët janë ata që po marrin borxh për të mbijetuar, derisa qeveria merr me shumë tatime e taksa falë çmimeve të rrituara. Në katër vitet e fundit infacioni ka qënë 21.5%. Siç e ka thënë Ronald Reagan: “Nuk kemi inflacion sepse njerëzit po jetojnë shumë mirë, kemi inflacion sepse qeveria po jeton shumë mirë.” Qeveria ka bërë përpjekje të mashtroj me numra katër vite radhazi, por qytetarët e kanë të vërtetën e tyre, ata që e kanë jetuar atë. 9 shkurti është afër. Ndryshimi është afër”, ka shkruar Bajrami.