Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria e Kosovës po tallet me qytetarët pas rritjes së çmimeve të produkteve bazike, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Bajrami ka thënë se një vit pas marrjes së qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje, kryeministrit Albin Kurti i mbetet të tregojë nëse vendi është i varfër apo i vjedhur.
“Deri dje kemi fol për çmimin e lartë të karburanteve ndërsa prej dje është kthyer vëmendja për vajin ushqimor. Në kohë krize qytetarët blejnë miell. Pas një viti qeverisje zotri Kurti na tregoj se a jemi vend i varfër a i vjedhur. Ne nuk po bëjmë panik, pamiken po e shkaktojnë çmimet”, ka thënë Bajrami.
“Sot kryeministri gjatë vizitës në Gjilan tha se Kosova e ka çmimin e vajit më të shtrenjtin në botë. Kryeministri po mendohet me i ushqye popullin me shpresa. Në opozitë ky ka qenë ushqim i tij por tash është kryeministër”, tha tutje ajo.
Teksa ka folur për rritjen e çmimeve në treg, Bajrami tha se kompania për përpunimin e pijeve, “Fluidi” ka kërkuar që 5 muaj licencë dhe nuk ka marrë përgjigje ku me këtë rast tha Kurti ndoshta ka shkuar të ia dërgojë licencën.
“Ne s’po bëjmë panik. Panikën po e bëjnë marketet, derisa Qeveria vetëm po e konfirmon situatën. Kryeministri sot në Gjilan tha se tani Kosova çmimin e vajit më të lartë në tërë botën. Na e tregoi atë që e dimë në baza ditore. Ku është Qeveria, pse i ka braktisur qytetarët. Kurti po tenton t’i mbushë qytetarët me shpresë”, deklaroi Bajrami.
Sipas saj, aprovimi i emrave për udhëheqje të Komisionit të Konkurrencës duhet të bëhet sa më parë, ngase siç tha ajo, ky Komision ekzekutiv do të shërbente në këtë periudhe krize.
