Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, përkatësisht këtë vit renditet në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar që ishte në vendin e 56-të.
Lidhur me këtë, reagoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se ky është alarm për secilin që jeton në Kosovë.
Sipas saj, lufta e pushtetit ndaj medias është “programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë”.
“Rënia e Kosovës për 19 vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa Kufij” është alarm për secilin njeri që jeton në Kosovë. Lufta e pushtetit ndaj medias është programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë.
Evidentimi i gjendje së mediave në Kosovë nga “Reporterëve pa Kufij” është konfirmim i asaj që kemi thënë prej ditës së parë të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit.”