Bakoyannis: Do të rekomandoj mbikëqyrjen e Kosovës nga Këshilli i Evropës

Prishtinë | 21 Mar 2024 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Kryeraportuesja për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ka thënë se do të rekomandojë mbikëqyrjen e Kosovës nga Këshilli i Evropës.

“Patëm një sukses të madh në rajon në ditët e fundit, e ai është kthimi i pronës së Manastirit të Deçanit, hapi më i rëndësishëm për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe që deri tani tregon një shenjë të qartë se ka një synim të autoriteteve në Prishtinë për t’iu bindur sundimit të ligjit dhe për të iniciuar reformat e nevojshme për hir të sigurisë së statusit të pakicës serbe”, tha Bakoyannis për median serbe N1.

Ajo ka theksuar se është plotësisht e vetëdijshme se ka ende një listë të gjatë të rasteve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.

“Sigurisht që nuk jam naive, jam plotësisht e vetëdijshme se është një listë e gjatë e çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe rezistencën e fortë të Prishtinës në fronte të ndryshme. Këshilli i Evropës e di shumë mirë këtë, por fakti që për pesë muaj arritëm të zgjidhim çështjen e zvarritur për 25 vjet, është një arritje e madhe dhe do të jetë në raportin tim”, theksoi ajo.

Siç tha ajo, pasi të votohet raporti do të shkojë në Kuvendin Parlamentar për një votim tjetër.

“Unë do të rekomandoj monitorimin e Kosovës nga Këshilli i Evropës – një proces post-monitorues që mund të fillojë nëse Këshilli i Ministrave vazhdon me votën e tij, sepse ata janë përgjegjës për marrjen e vendimeve. Raporti im për të gjithë kolegët paraqet gjendjen aktuale në lidhje me të drejtat e njeriut, progresin e arritur në zbatimin dhe miratimin e ligjeve. Nëse raporti miratohet, atëherë do të hyjmë në procesin e post-monitorimit”, ka treguar ajo.

Bakoyannis sqaroi se postmonitorimi është një proces në të cilin kolegët e Komitetit Politik monitorojnë çdo hap që duhet të zbatohet para Këshillit të Evropës.

“Prishtina duhet të pajtohet që t’i zbatojë ato hapa në muajt e ardhshëm, kështu bëhet në të gjitha vendet, kështu do të monitorohet edhe në Kosovë në rast se Komiteti i Ministrave vendos ta pranojë Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës”, ​​tha Bakoyannis.

Sipas saj, ky raport nuk imponon asnjë pikëpamje për shtetësinë e Kosovës, dhe se ka një ndarje të rreptë të kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme të KiE-së.

Të ngjashme