Zv.kryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj- Halimaj ka takuar në Tiranë zv.kryeministrin e Shqipërisë Erion Braçe.
Në këtë takim u diskutua për përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive që pritet të mbahet muajin shtator në Shkodër, e ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të reja mes dy qeverive.
Zv.kryeministrja Balaj- Halimaj kërkoi nga qeveria shqiptare që të shikoj mundësitë për pezullimin e taksës në rrugën e kombit për qytetarët e Kosovës, për së paku dy muaj, deri më 15 shtator.
Poashtu, ajo ka kërkuar që të eleminohen të gjitha pengesat që po pamundësojnë realizimin e marrëveshjeve të arritura më herët; siç është funksionalizimi i plotë i pikës doganore në Durrës, unifikimi i kodit doganor, njohja e dokumentacioneve recioproke për export dhe import, si dhe kërkesën e odës së farmacistëve të Kosovës për listën e çmimit të barnave.
Nga ana e tij, zv-kryeministri Brace u zotua se kërkesën për pezullimin e taksës do ta ngris në mbledhjen e ardhshme të qeverisë së Shqipërisë, që pritet të mbahet këtë javë. Poashtu ai shprehu angazhimin e tij dhe vullnetin në realizimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve tona.
Zv.kryeministrja Balaj-Halimaj tha se gjithë përkushtimi i saj do të jetë në funksion të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët dhe marrëveshjeve të reja që mund të arrihen në shtator e që për qëllim do të kenë lehtesimin e jetës së qytetarëve andëj e këndej kufirit.
Temë e këtij takimi ishte edhe menaxhimi i pandemisë COVID-19 në dy vendet tona.