“Tampere Hall” është ndër sallat më të mëdha të vendeve nordike sa u përket organizimit të ngjarjeve kulturore dhe kongreseve. E hapur më 1990 në zemër të qytetit jugor të Finlandës, Tampere me 330 mijë banorë, në këtë sallë të hënën është prezantuar Baleti Kombëtar i Kosovës.
Krejt kjo është bërë në kuadër të turneut katërditor të BKK-së, që të martën është prezantuar në kryeqytetin finlandez, Helsinki, për të vazhduar në qendrat Turku e Pori. Kësisoj, rrëfimi i dy të rinjve në shfaqjen “Një legjendë për dashurinë”, nëpërmjet së cilës përçohen mesazhe paqeje, do të shëtisë nëpër vendin nordik.
Me koreografi të Pullumb Agalliut, shfaqja rrumbullakon historinë e popullit shqiptar, nga pushtimet deri tek liria. Me kostumografi që ka elemente shqiptare e një rrëfim që është konceptuar si lojë baleti, pos shkathtësive artistike balerinët kosovarë do shpërfaqin në Finlandë edhe një mozaik të kulturës shqiptare në përgjithësi. Pikërisht për këtë është zgjedhur edhe shfaqja që ishte dhënë premierë në shtator të vitit të kaluar me rastin e 45-vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës.