Koalicioni SDA-BSDAK, që është certifikuar në KQZ për të përfaqësuar komunitetin boshnjak dhe që garon për vendet e rezervuara për komunitetet joshumicë, në listën e vet të kandidatëve ka përfshirë edhe kandidatë që janë shqiptarë dhe jo boshnjakë.
Kjo ka zgjuar pakënaqësi tek komuniteti boshnjak në Kosovë, sepse po shihet si përpjekje për të marrë vota nga elektorati shqiptar, duke ia mohuar komunitetit boshnjak të drejtën që të zgjedhë vetë përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti boshnjak ka të garantuara 3 ulëse nga gjithsej 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetet që nuk janë shumicë.
KQZ nuk ka mekanizma për të vërtetuar nëse ndonjë përfaqësues i komunitetit shumicë është regjistruar si përfaqësues i ndonjë komuniteti joshumicë.
Përfaqësues të komunitetit boshnjak, ditë më parë kanë shprehur shqetësimin se kjo mund të jetë përpjekje e partive shqiptare që të përvetësojnë edhe vendet e garantuara për komunitetet joshumicë.
Koalicioni SDA-BSDAK që udhëhiqet nga Numan Baliq, shihet si i afërt me LDK-në.
Kjo strategji po shihet si e koordinuar edhe me LDK-në e Mustafës, që në emër të komuniteteve joshumicë në Kuvend të fusin deputetë të kontrolluar prej tyre.
Ndaj kësaj strategjie të koalicionit SDA-BSDAK kishte reaguar edhe Vakat, duke thënë se nëse nuk merret vendim i drejtë në KQZ, që nga ajo listë e kandidatëve të SDA-BSDK të largohen personat e komunitetit shqiptar, ata do t’i drejtohen me padi Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.