Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council) prezantoi sot edicionin e 25-të të ‘Balkan Barometer’, sondazhin rajonal të opinionit publik që organizata e zhvillon prej 11 vitesh.
Sekretari i Përgjithshëm, Amer Kapetanoviq, tha se rezultatet e këtij viti sjellin “trendë shumë inkurajuese”, sidomos rikthimin e besimit në Bashkimin Evropian.
Në përgjigje të pyetjes së bërë nga gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, tha se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë ndër më pro-evropianët në rajon dhe tërësisht të orientuar drejt bashkëpunimit rajonal.
“Kur flasim për Kosovën, mendoj se është kryesisht pro-evropiane, me një margjinë shumë të lartë,” deklaroi Kapetanoviq.
Ai theksoi se edhe perceptimet lidhur me sigurinë dhe besimin ndaj institucioneve në Kosovë janë “pak më të larta krahasuar me pjesën tjetër të rajonit”, duke e përshkruar situatën si përgjithësisht pozitive.
Gjatë prezantimit të edicionit të 25-të të Balkan Barometer, Kapetanoviq nënvizoi rikthimin e besimit në Bashkimin Evropian në nivel rajonal.
“Vitin e kaluar ishte 54%, tani është 64%, niveli më i lartë në 10 vitet e fundit”, tha ai, duke shtuar se kjo prirje pozitive nuk është e barabartë në të gjitha vendet, por mbetet e qartë në rajon.
Ai vuri theksin edhe te roli i të rinjve, duke e cilësuar shumë të fortë orientimin e tyre drejt Evropës dhe bashkëpunimit.
“77% e tyre janë qartë pro-evropianë dhe duan të shohin përfitime konkrete nga bashkëpunimi rajonal”
Kapetanoviq paralajmëroi se pavarësisht këtyre zhvillimeve, besimi është “një gjë shumë e brishtë” dhe duhet ruajtur përmes rezultateve të prekshme që përmirësojnë jetën e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe kushtet e punës./Telegrafi