Ballazhi pret një delegacion nga GIZ-i dhe Ministria e Mjedisit, diskutohet për menaxhimin e mbeturinave në Han të Elezit

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 20:05 | Nga Hani i Elezit

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka pritur në një takim përfaqësues të Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), me ç’rast është diskutuar për gjendjen në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe sfidat në këtë komunë.

Në takim morën pjesë dhe nënkryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Sevdi Dernjani; drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Arsim Dernjani; si dhe udhëheqësi i Sektorit për Shërbime Publike, Kujtim Dernjani. Nga projektit GIZ-SMS ishin të pranishëm menaxheri Stefan Mager; Vjollca Behluli dhe Drita Binaj. Kurse, nga MMPHI, Lulzim Baumman, këshilltar i ministrit për çështje mjedisore, dhe Muhamet Malsiu, drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave.

Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar pas takimit, përfaqësuesit nga Komuna e Hanit të Elezit i njoftuan pjesëmarrësit më gjerësisht rreth performancës së kompanisë aksionare komunale të Hanit të Elezit për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi”.

“Po ashtu u parashtruan edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat komuna përballet me menaxhimin e mbeturinave”.

Kryetari Mehmet Ballazhi e falënderoi Ministrinë e Mjedisit, dhe në veçanti organizatën gjermane GIZ, për mbështetjen e tyre të pakursyer për politikën e gjelbër në Han të Elezit. “Ai ka ofruar gatishmërinë e tij të plotë për të thelluar edhe më tutje bashkëpunimin, që do të rezultonte me përfitime të mëdha për njerëzit, siç është jetesa në një ambient të gjelbër dhe sa më të pastër”.

Nga ana e tij, Stefan Mager theksoi se qëllimi i takimit përpos ofrimit të mbështetjes dhe bashkëpunimit të mëtutjeshëm, është edhe për të prezantuar se prioritet i tyre do të jetë rishikimi i planit të menaxhimit të mbeturinave, veç tjerash edhe për menaxhimin e integruar që përfshin ndërtimin e pikave stacionare dhe riciklimin.

Të ngjashme