Futbollistët e Ballkanit e kanë zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së rëndësishme me Prishtinën, të cilën do ta zhvillojë nesër.
Ekipi nga Suhareka do të përballet me Bardhekaltrit në finale të Digitalb Kupës së Kosovës, e cila do të luhet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 17:45.
“Seanca e fundit stërvitore para finales me FC Prishtinën në Digitalb Kupa. Stërvitja u zhvillua në Stadiumin “Fadil Vokrri”-Prishtinë. Na priftë e mbara”, ka shkruar klubi Portokalli në rrjetet sociale.
Ballkani përfundoi në pozitën e tretë në tabelë këtë sezon në IPKO Superligë, e cila ishte e pamjaftueshme për ta siguruar daljen në Evropë.
Sidoqoftë, therandasit e kanë tash edhe opsionin e dytë, atë përmes Kupës për të debutuar në garat evropiane.
Siç dihet, fituesi i Digitalb Kupës e siguron pjesëmarrjen në Europa League.
Për këtë arsye, ky trofe është aq i çmueshëm dhe i rëndësishëm.
Të njëjtën gjë do ta kërkojë edhe Prishtina, e cila e synon pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për herë të katërt radhazi.