Ballkani është skuadra e vetme pa humbje në BKT Superligën e Kosovës pas tetë xhirove.
Skuadra nga Suhareka mbanë vendin e parë në tabelë me 16 pikë, ku ka marrë katër fitore e katër barazime.
E për ecurinë e skuadrës nga Suhareka, rezultatet e deritanishme dhe objektivat e klubit flet për Telegrafin trajneri Bekim Isufi.
Për rezultatet e mira në këto tetë xhirot e para, Isufi ka thënë se ka ndikuar edhe faza e mirë përgatitore që kanë bërë dhe grupi i lojtarëve.
“Kemi bë një fazë përgatitore jashtëzakonisht të mirë, kemi bërë një grup që lufton edhe gjatë stërvitjeve, kemi rritur edhe konkurrencën. Kemi punuar në aspektin psikologjik që çdo ndeshje të shihet si një finale”, tha Isufi për Telegrafin.
Ballkani po njihet edhe si skuadër që rikthen rezultatet dhe këtë e bëri së fundmi edhe ndaj Drenicës.
“Të gjithë së bashku kemi punuar që të jem të qetë deri në fund të takimit. Jemi të vetëdijshëm se fitorja arrihet vetëm atëherë kur gjyqtari jep fundin e ndeshjes dhe deri në atë moment e gjithë skuadra lufton”, vazhdoi tutje Isufi.
“Kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes stafit dhe futbollistëve. E dimë se çka po dëshirojmë brenda kërkesave dhe objektivave që ka klubi”.