Superliga e Kosovës do të vazhdojë sot me dy ndeshje të tjera të xhiros së 17-të.
Dje, Dukagjini e mposhti Ferizajn me epërsi minimale, 1:0 falë golit të Altin Mërlakut.
Kurse sot në fushën e blertë do të zbresin katër skuadra, të cilat do t’i formojnë dy derbi.
Pa dyshim, loja kryesore do të jetë ajo mes Ballkanit dhe Llapit, shkruan “Gazeta Express”.
Therandasit me trajnerin e ri, Orges Shehi do ta kërkojnë fitoren dhe këndelljen pas periudhës jo dhe aq të mirë nëpër të cilën po kalojnë.
Nga ana tjetër, llapjanët nuk dinë për fitore në Superligë qe nëntë ndeshje dhe trupa e Tahir Batatinës do të mundohet t’i japë fund kësaj serie të zezë me një fitore eventuale në Suharekë.
Një tjetër sfidë interesante në fundjavë do të jetë ajo mes Malishevës dhe Suharekës.
Pasi gaboi në xhiron e fundit duke barazuar pa gola me Feronikelin 74, Malisheva e ka për obligim fitoren, nëse dëshiron të mbetet në hap me lideren, Drita.
Nga ana tjetër, debutuesi i Superligës është mjaft i motivuar pasi i dha fund serisë prej pesë ndeshjesh pa fitore duke e mundur Llapin të martën me rezultat të thellë, 4:0.
Një rezultat eventual pozitiv do ta ndihmonte ekipin e Qëndrim Kidës që të dimërojë më i qetë.
Të dy takimet e sotme do të nisin në orën 13:00.
Ndërsa nesër do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje, me derbin e Anamoravës, Gjilani – Drita dhe me sfidën tjetër, Feronikeli 74 – Prishtina.