Kosova nuk ka qenë kurrë më afër ta shijojë fazën e grupeve të një gare evropiane ekipore.
Ballkanin e ndajnë vetëm 90 minuta nga kualifikimi historik në këtë fazë të Ligës së Konferencës.
Kampioni i Kosovës e mundi Shkupin 2:1 javën e kaluar në udhëtim, në duelin e parë të “play-offit”, shkruan “Gazeta Express”.
E tash, therandasit duan ta kompletojnë misionin me një tjetër rezultat të favorshëm në shtëpi, për ta prerë biletën e fazës së grupeve.
Ekipit nga Suhareka do t’i mjaftonte edhe një barazim për ta realizuar ëndrrën evropiane.
Trajneri Ilir Daja e ka motivuar ekipin e tij, ndërsa e pranon që skuadrën Portokalli e pret një punë e vështirë, përkundër avantazhit që e ka.
Sipas tij, në këtë përballje nuk ka favorit, derisa e konsideron si një avantazh përkrahjen e tifozëve.
“Mendojmë që nesër do të kemi ndeshje të vështirë. Nuk ka favorit direkt, dy skuadrat janë pothuajse të barabarta. Kemi avantazh sepse fituam ndeshjen e parë, shpresojmë të na mbështesin tifozët. Duhet të djersitemi nëse mendojmë ti shtyjmë ëndrrat përpara. Nuk e kemi parashikuar që në start të arrijmë këtu. Gjithë kontingjenti është në dispozicion. Një lojtar të shohim si e ka gjendjen, ka qenë i diferencuar. Nuk dua ta publikoj dhe nuk dua të jap elemente shtesë. Është një nga mbrojtësit tanë në dyshim”, deklaroi Daja.
Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë i mbushur sonte pasi të gjitha biletat për këtë ndeshje të madhe janë shitur.
Dueli ndërmjet Ballkanit dhe Shkupit do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00.
Ndeshja zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të dyja tifozeritë shqiptare pritet të dhurojnë spektakël në stadium, ndërsa therandasit iu kanë bërë mikpritje vëllazërore mysafirëve nga Shkupi.
Për të arritur deri këtu, Ballkani e kishte nisur eksperiencën e parë evropiane në Ligën e Kampionëve, ku ishte eliminuar në rrethin e parë kualifikues nga Zalgirisi i Lituanisë, shkruan “Gazeta Express”.
Më pas, therandasit përfunduan në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku e eliminuan fillimisht La Fioritan e San Marinos e më pas Klaksvikun e Ishujve Faroe.
Tash, Armend Thaçi me shokë janë vetëm 90 minuta larg kualifikimit historik në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Deri tash, vetëm një klub shqiptar, Skënderbeu i Korçës, ka arritur të shkojë në fazën e grupeve të një gare evropiane.