Dy skuadrat pretendente për titull të kampionit do t’i matin forcat të dielën në Therandë. Paraprakisht, Drita do të mundohet ta mposht Arbërinë dhe të shpresojë në gabimin e therandasve për ta marrë lidershipin
Pas ndeshjeve të ekipit kombëtar të Kosovës, këtë fundjavë rikthehet Superliga e futbollit me ndeshjet e xhiros së 27-të.
Pa dyshim, dueli kryesor i fundjavës do të jetë ai në mes të Ballkanit dhe Prishtinës.
Dy pretendentët për titull të kampionit do t’i matin forcat në përballjen e tyre të së dielës në Therandë.
Aktualisht, tabelës i prin ekipi Portokalli me 55 pikë.
Ndërsa, Bardhekaltrit i kanë katër pikë më pak, shkruan Gazeta Express.
Prandaj, kryeqytetasve do t’ju kryente shumë punë fitorja eventuale në udhëtimin e vështirë.
Ndërkohë, nga ky ballafaqim do të mundohet të përfitojë pretendenti tjetër për titull, Drita.
Kampioni aktual i Kosovës ka pikë të njëjta me liderin, Ballkani.
Gjilanasit me një fitore eventuale ndaj Arbërisë do ta marrin përkohësisht lidershipin dhe më pas do të presin dhe do të shpresojnë.
Feronikeli – Llapi është një tjetër duel interesant, ndërsa xhiroja hapet të shtunën me ndeshjen Drenica – Trepça ’89 dhe mbyllet të hënën me Gjilani – Besa.