Brescia pritet t’ia shkëpus kontratën Mario Balotellit, pasi sulmuesi italian ka dështuar të kthehet në stërvitje në prag të rifillimit të Serie A më vonë këtë muaj. Kështu të paktën kanë raportuar mediat italiane të shtunën.
Balotelli (29) kishte nënshkruar vitin e kaluar për tri vjet me ekipin nga qyteti i tij, pasi Brescia u kthye në elitë ku nuk kishte garuar që nga viti 2011.
Balotelli është i njohur për telashet që ka shkaktuar gjatë karrierës te skuadra si Inter, Manchester City, Milan, Liverpool, Nice dhe Olympique Marseille. Ai ka 36 ndeshje për Italinë.
Sky Sports ka raportuar se Balotelli ishte përfshirë në një fjalosje me presidentin e Brescias, Massimo Cellino pasi futbollisti nuk ishte kthyer në stërvitje kur masat për koronavirus u lehtësuan në Itali.
Balotellit i është ofruar marrëveshje për shkëputje të kontratës, të cilën ai e ka refuzuar. Më pas klubi i ka dërguar letër avokatit të Balotellit, duke e informuar se kontrata e tij do të ndërpritet.
Balotelli ka shënuar pesë gola në 19 paraqitje në Serie A këtë edicion. Seria A pritet të vazhdojë më 20 qershor.