Mario Balotelli pritet ta marrë shiritin e kapitenit te Kombëtarja e Italisë.
Mund të duket paradoksale për mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet, por nëse zbatohen me përpikëri rregullat, atëherë Balotelli do të jetë kapiteni i ri i Kombëtares së Italisë.
Në mungesë të Gianluigi Buffonit dhe Daniele De Rossit, lideri i ri i kaltër mbetet Leonardo Bonucci, por meqë mbrojtësi i Milanit me siguri nuk do t’i luajë të plota takimet e programuara para Botërorit, shiriti do t’i kalojë SuperMarios.
Tek Italia kapiteni i skuadrës zgjidhet në bazë të numrit të ndeshjeve (këtë praktikë ka ndjekur edhe Christian Panucci te kuqezinjtë) dhe hierarkisë, ndaj pas Bonuccit radha i vjen Balotellit, përcjell Supersport.
Roberto Mancini e riktheu në përfaqësuese, duke i rezervuar edhe një surprizë të këndshme, që do ta motivonte për të dhënë maksimumin dhe shmangur sjelljet e papërshtatshme, që e kanë penalizuar shumë në karrierën e tij.