Zëvendësministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani, i ka cilësuar si dilema banale, disa pyetje të ngritura nga gazetarët gjatë një konference për medie, raporton Ekonomia Online.
Zogiani e ka quajtur “banale” një pyetje lidhur me rastet e keqpërdorimeve brenda Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat i ka evidentuar zv/ministri Zogiani prej ardhjes së tij në detyrë disa muaj më parë.
“Nuk e di a e keni pasur vëmendjen kur kam folur kam thënë ne, ne [ministria]. Unë, natyrisht kur futem aty merrem me procesin, jo vetëm për kohën time kur kam qenë në Ministri unë. Kështu që, është pak banale si dilemë, mirëpo po ta hjeku si dilemë”, i ka thënë Zogiani, gazetarit.
“Ju thatë se ne po flasim në ajër. Dhjetë minuta ka folur ministri për një rast konkret të pretendimit të krijimit të një termocentrali. Po flasim konkretisht për një projekt dhe ju po thoni ‘po flisni në ajër’. Kjo është komplet tendencioze”, ka thënë Zogiani.
E gazetari i T7 reagoi duke i kërkuar të mos përdoren terma pezhorativ për pyetjet e gazetarëve.
Në anën tjetër, gazetari i Ekonomia Online kërkoi që të mos ofendohen pyetjet e gazetarëve, në të kundërtën konferencat do të bojkotohen.
“Mos na ktheni me këto terma pezhorativ me na ofendu”, i ka reaguar gazetari, zëvendësministrit Zogiani.
Zogiani ka qenë gazetar për shumë vjet, para se t’i bashkohej Vetëvendosjes.