Kanë kaluar ditët e fytyrave të mbuluara me tatuazhe apo të personave tjerë me tatuazhe nga koka deri te thembrat. Pjesëtarët e bandës MS-13 kanë vendosur të ndryshojnë “look”, me qëllim që të shmangin vëmendjen e padëshirueshme të policisë dhe njëkohësisht të ruajnë terrenet në disa nga vendet kryesore të SHBA-ve.
“Ideja që të kenë tatuazhe nga këmba në kokë, më nuk po ndodh”, ka deklaruar një zyrtar i lartë i emigracionit në SHBA, gjatë një interviste dhënë për Washington Examiner.
“Norma e re”, sipas agjencisë së emigracionit që hulumton dhe arreston e deporton persona që në mënyrë ilegale qëndrojnë në SHBA, është dikush “i rruar”, që flet bukur dhe që ka “zero” ngjyrë nëpër trup”, ka shtuar ai.
MS-13 që do të thotë Mara Salvatrucha, është e njohur për veprimet e dhunshme. Në vitin 2012, Ministria e Financave e ka shpallur si organizatë transnacionale kriminale, kjo për faktin që kontrabandon njerëz, drogë dhe armë nga Amerika Qendrore për në SHBA. Deri në fund të këtij viti, rreth 10 mijë anëtarë janë të shpërndarë nëpër Amerikë e mijëra tjerë në mbarë botën, ku shumica janë të koncentruar në El Salvador.
Tatuazhet prej vitesh kanë identifikuar lirshëm anëtarët e bandës, madje ata ishin të obliguar ta bëjnë një gjë të tillë që jenë anëtar të MS-13, që u formua nga El Salvadorianët që jetonin në Los Angerles para më shumë se 40 viteve. Tradicionalisht, anëtarët e bandës bënin tatuazhe kur gradoheshin, që do të thotë sa më shumë tatuazhe në trupin e dikujt, aq më të madhe gradën.
“MS është i ndarë në banda të vogla, edhe pse ato të gjitha funksionojnë nën ombrellën e MS-13, vetëm janë thjesht banda të ndryshme. Kjo do të thotë se rregulla të ndryshme, ku disa prej bandave fillimisht praktikojnë dhunën para se të gradohen. Sa herë që gradohesh, të rrahin rreth 13 sekonda”, ka deklaruar një punonjës i grupit punues që ka identifikuar dhjetëra anëtarë, duke mos dashur të zbulojë identitetin për arsye të ndryshme. /Telegrafi/