Shtatë sulmues janë dënuar me vdekje në Bangladesh për sulmin vdekjeprurës që e kishin kryer në një kafene në vitin 2016, kur ishin vrarë 22 persona, shumica e të cilëve ishin shtetas të huaj.
Sulmi në kafenenë “Holey Artisan” në Daka ishte kryer nga një grup prej pesë personash, të cilët fillimisht i kishin marrë pengë mysafirët e këtij lokali e më pas i kishin vrarë ata.
Në këtë rast gjyqësor të akuzuar ishin tetë persona. Ata akuzoheshin për planifikim të sulmit dhe furnizim të sulmuesve me armë. Njëri prej tyre u lirua nga akuzat.
Rrëmbimi që kishte zgjatur dymbëdhjetë orë ishte sulmi më vdekjeprurës terrorist në historinë e Bangladeshit. Shumica e viktimave në këtë sulm ishin nga Italia dhe Japonia.
Përgjegjësinë për këtë sulm e kishte marrë i ashtuquajturi Shtet Islamik, por autoritetet e Bangladeshit nuk e kishin pranuar si të vërtetë këtë pretendim, duke e fajësuar një grup militant lokal, shkruan “BBC”, transmeton Express.
Shtatë personat e dënuar me vdekje u akuzuan se i përkasin grupit militant “Jamaat-ul-Mujahideen Bangladesh”, veprimtaria e të cilit është e ndaluar me ligj.