Banka Botërore: Do të kthehen gurët mbi fasadën e Fakultetit të Arteve

Prishtinë | 22 Shk 2020 | 13:08 | Nga Ekonomia Online
Janë bërë disa ditë prej kur u pa që kati përdhesë i Fakultetit të Arteve ka filluar të ketë ndryshime. Gurët e tij në fasadë kanë filluar të mbulohen me stiropor, duke e humbur kujtesën e atij objekti dhe origjinalitetin e tij. E gjitha kjo po bëhet nga një projekt i Bankës Botërore me ish-Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për të rritur Efiçiencën e Energjisë në objektet e vjetra.

Në këtë mes stafi i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe Dekani i Fakultetit të Arteve i kanë çuar duart, duke thënë se ky është projekt i Bankës Botërore dhe këtu përfundon gjithçka.

“Janë projekte të përzgjedhura prej Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Edhe pllakatet janë vu përpara, në objektet të cilat kryhen punimet. Por, nuk është investim i universitetit, është investim i Bankës Botërore”, ka thënë dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi.

Në anën tjetër reagimi i profesionistëve të fushës nuk ka munguar. Disa prej tyre kanë qenë të mendimit se ky veprim është një veprim i keq, e të tjerët thonë se s’ka ndonjë vlerë në atë fasadë dhe mund të mbulohet.

“Është fatkeqësi që i jepet aminin këtyre maskaradave prej profesionistëve. Dekani i Fakultetit të Arteve ndoshta ka plotësisht ‘të drejtë’ me mbrojt projektin, sepse për fatin tonë të keq e ka mbrojt edhe Fakulteti i Arkitekturës është shpërfytyrua Fakulteti Teknik. E keqja më e madhe po bëhet në emër të së mirës, këtu po bëhet hata në emër të së mirës, në emër të efiçiencës energjetike. Ne të gjithë e dimë se cka është energjia, që duhet të kemi kujdes për të, por duhet të kemi kujdes edhe për identitetin arkitektonik… Fasada prej gurësh që sot po mbulohet sot është 100 – 12 euro metri katror, ndërsa nje metër katror i asaj fasadës mund të shkojë deri në 15 euro”, ishin fjalët e profesor Arbër Sadikit, një nga profesionistët që ka reaguar gjithmonë në raste të tilla. Ishte po i njëjti profesor që në kohën kur Fakulteti Teknik u shpërfytyrua, që fliste e protestonte, por pa sukses.

Por, profesoresha Florina Jerliu ka thënë se ky mbulim me stiropor nuk paraqet fare problem.

“Unë konsideroj që nuk është gabim, sepse nuk kemi të bëjmë as me gurë historikë e as ndërtesë historike”, tha profesoresha Jerliu.

Banka Botërore: Do t’ia kthejmë gurët mbi fasadë

Banka Botërore si flamurtare e këtij projekti dha premtimin që do të flasë për kamerën e Ndërtimi.info. Mirëpo, muret jo të pastërta të zyrës, ishte “arsyeja” që nuk mund të bëhej asgjë me kamerë.

Megjithatë, Kreshnik Muhaxheri, që është zyrtar i Bankës Botërore dhe menaxher i këtij projekti, përmes MZHE-së, tregoi me shkrim se çka po ngjan me këtë projekt.

“Fakulteti i Arteve- Dega Pikturë është duke renovuar me qëllim të kursimit të energjisë dhe rritjes se komforit termik brenda objektit. Mbështjellësi termik i këtij objekti do të jetë me trashësi prej 10cm dhe mbi te me projekt janë paraparë të vendosen pllaka guri të cilat vizuelisht do të jenë shumë të ngjashme me pllakat e ekzistuese”, ka thënë Muhaxheri, që thotë se projekti është hartuar dhe miratuar nga profesionistë të institucioneve relevante.

Në rastin e kësaj ndërtese, leja për ndërhyrje është marrë në korrik të 2019-s, teksa pritet të përfundojë deri në fund të vitit.

Me projektin për efiçiencë të energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë parashihet të rehabilitohen 30 ndërtesa të ngjashme.

Të ngjashme