Banka Botërore: Tërheqja e mjeteve nga Trusti do ta nxiste më tej inflacionin

Prishtinë | 02 Nën 2022 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i Bankës Botërore, Richard Record, shprehet kundër tërheqjes së mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, pasi, siç thotë, një veprim i tillë do ta rriste edhe më shumë inflacionin, që aktualisht është mbi 12 për qind.

“Masa e propozuar për të lejuar një rund të dytë të tërheqjeve të konsiderueshme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, do të ishte regresive, do ta rrezikonte qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit të pensioneve dhe do ta nxiste edhe më tej inflacionin”, thotë Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.

Qeveria e Kosovës, deri më tash, ka kundërshtuar, ndonëse në vitin 2020, ajo u ka mundësuar qytetarëve të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti, për të përballuar, siç është thënë, vështirësitë financiare të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

“Masat në përgjigje ndaj inflacionit duhet të jenë të shënjestruara dhe me afat të kufizuar kohor”, thotë Record.

Në intervistën dhënë REL-it, ai flet edhe për rëndësinë e reformimit të skemës sociale, për mënyrat se si mund të rriten eksportet e Kosovës e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritje të inflacionit edhe në Kosovë. Çfarë masash do të duhej të merrte ekzekutivi i vendit për të mundësuar uljen e inflacionit? A ka nevojë për shtrëngim të politikave monetare dhe fiskale?


Richard Record: E gjithë bota po sheh një valë në rritje të inflacionit si rezultat i luftës në Ukrainë, si dhe për shkak të presioneve ekonomike që janë rritur që nga pandemia [COVID-19]. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, inflacioni global arriti në 9.3 për qind (vit në vit) në shtator.

Kërcimi i inflacionit është veçanërisht i theksuar në Evropë dhe inflacioni tashmë është dyshifror pothuajse në çdo vend të kontinentit. Inflacioni në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore u përshpejtua në 14.5 për qind (vit në vit) në korrik, duke shënuar ritmin më të shpejtë që nga viti 1998, ndërsa inflacioni tejkaloi caqet e bankave qendrore në çdo ekonomi me veprime të synuara për të trajtuar inflacionin.

Sigurisht, Kosova nuk bën përjashtim në shënimin e këtij trendi rritës të inflacionit. Adoptimi i njëanshëm i euros si monedhë në fillim të viteve 2000 ka gjeneruar një sërë përfitimesh për ekonominë e saj, duke përfshirë presionet e kufizuara të brendshme ndaj inflacionit, regjim të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe mjedis më të parashikueshëm për zhvillimin e sektorit privat.

Megjithatë, ky vendim do të thotë gjithashtu se autoritetet, në fakt, kanë hequr dorë nga kontrolli i tyre mbi politikën monetare dhe barra e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik bie tërësisht mbi sektorin fiskal.

Si një vend i ri, Kosova është ende duke zhvilluar tregjet e saj të borxhit dhe, së këndejmi, ka maturime të shkurtra në stokun e saj të borxhit të brendshëm, mesatarisht rreth 3 vjet. Vetëm për të ruajtur stokun aktual të borxhit të brendshëm, Kosova duhet të rifinancojë shumë nga bonot e thesarit gjatë vitit. Në të gjithë globin, kostot e financimit sovran po shtrëngohen, ndërsa normat e interesit po rriten për të zbutur inflacionin. Pra, në aspektin praktik, Kosova duhet të mbajë nivele adekuate të rezervave buxhetore për të ruajtur stabilitetin makroekonomik.

Kundrejt këtij sfondi, autoritetet kanë mjete të kufizuara për të ulur realisht inflacionin. Më e mira që mund të bëhet në këtë kontekst, është së pari të sigurohet që shpenzimet joefektive ose uljet universale të tatimeve, të mos përforcojnë inflacionin. Autoritetet në Kosovë mund të ndihmojnë vetëm në zbutjen e ndikimit të inflacionit, ndërkohë që ato duhet të sigurojnë të mos përforcojnë presionet e çmimeve dhe të mos lënë vragë të pashlyeshme, që i zhvendosin burimet fiskale shumë të nevojshme për të adresuar nevojat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.

Sipas mendimit tonë, kjo mund të arrihet vetëm duke pasur mirëkuptim kolektiv se nuk mund të ofroni mbështetje për të gjithë; në fakt, autoritetet do të duhej ta përqendronin të gjithë mbështetjen e tyre për qytetarët më nevojtarë (konsumi i të cilëve u ul më shumë si rezultat i inflacionit). Dhe, kjo mbështetje do të duhej të ofrohej në mënyrë të synuar dhe të përkohshme.

Ne besojmë se masat do të duhej të përqendroheshin rreth programeve të ndihmës sociale dhe grupeve të cenueshme nga varfëria energjetike. Në periudhën afatmesme, sistemi i ndihmës sociale do të duhej të reformohej në mënyrë më efektive, për të identifikuar se kush është më nevojtar, dhe të jetë fleksibël për të ofruar automatikisht mbështetje kur është e nevojshme.

Radio Evropa e Lirë: Si po e ndihmon Banka Botërore ekzekutivin e Kosovës që të rimëkëmbet nga pasojat [ekonomike] që ka shkaktuar gjetkë lufta në Ukrainë?

Richard Record: Banka Botërore punon në mbështetje të Qeverisë së Kosovës në përpjekjet e saj për të ulur varfërinë dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët përmes Strategjisë së Partneritetit për Vendin. Ne po e mbështesim Kosovën me financim në një sërë fushash, si: konkurrenca, qasja në financa, efiçienca e energjisë, digjitalizimi, bujqësia, ujërat dhe reforma e kadastrës.

Ndërsa fokusi ynë kryesor është në mbështetjen e zhvillimit afatmesëm, disa nga projektet tona ofrojnë gjithashtu mbështetje afatshkurtër – për shembull, projektet që ne aktivizuam me shpejtësi për të mbështetur reagimin ndaj COVID-it.

Projekti ynë për ndihmën sociale, që pritet të miratohet nga Kuvendi, synon të rrisë gatishmërinë e menjëhershme për të reaguar në mbrojtjen e grupeve më të cenueshme, por edhe të mbështesë reformën e plotë të sistemit të ndihmës sociale.

Këtë vit, ne pamë gjithashtu kredinë e parë të politikës zhvillimore të Bankës Botërore për Kosovën, e cila ofroi 50 milionë euro në disbursimin e shpejtë të burimeve direkt në buxhetin e Qeverisë, pas nisjes së reformave të ndjeshme strukturore (si ligji i ri për inspektimet, legjislacioni për identifikimin elektronik, legjislacioni për energjinë e ripërtëritshme dhe përmirësimet në transparencën e menaxhimit të borxhit).

Mirëpo, synojmë të jemi jo vetëm një bankë për financimin e zhvillimit, por edhe një bankë e njohurive për zhvillimin. Kjo do të thotë që ne duam t’i ofrojmë Qeverisë së Kosovës analiza dhe këshilla rreth politikave. Për shembull, ne sapo publikuam vlerësimin tonë më të fundit të perspektivës ekonomike të Kosovës në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: A përbën inflacioni i lartë në Kosovë rrezik për rritjen e varfërisë?

Richard Record: Shifrat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se inflacioni vjetor arriti në 12.7 për qind në shtator, 2022. Ashtu si gjetiu në botë, rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimit dhe energjisë po ushtron presion mbi shumë qytetarë në Kosovë, pasi të ardhurat e tyre nuk mund të zënë hapin.

Situata është veçanërisht kritike për qytetarët që jetojnë në varfëri ose afër kufirit të varfërisë, sepse, në krahasim me të tjerët, ata shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim, për faturat e energjisë dhe për ngrohjen e shtëpive të tyre gjatë dimrit. Pra, edhe një rritje e vogël e çmimeve do të kishte implikime të forta në atë se sa mund të konsumojnë.

Radio Evropa e Lirë: A rrezikohet buxheti i Kosovës nga skemat e shumta sociale? Çfarë politikash do të duhej të ndërmerreshin?

Richard Record: Kosova ka një skemë të ndihmës sociale, shumë programe transferimi sipas kategorive, dhe së fundmi masa/skema të reja të përkohshme për t’iu përgjigjur goditjeve. Kosova ka burime të kufizuara fiskale dhe këto duhet të përdoren në mënyrë efektive, duke i dhënë prioritet mbrojtjes dhe mbështetjes së qytetarëve për të dalë nga varfëria. Në kohë krizash, siç është goditja aktuale e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, që është veçanërisht sfiduese për familjet me të ardhura të ulëta, sistemi i mbrojtjes sociale të një vendi është thelbësor për mbrojtjen e grupeve të varfra dhe të cenueshme.

Programet e mbrojtjes sociale, të cilat përfshijnë pensionet, ndihmën sociale dhe programet e tregut të punës, luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e grupeve më të varfra dhe më të cenueshme në shoqëri nga rënia në skamje të mëtejshme. Në të njëjtën kohë, këto promovojnë dhe mbrojnë investimet në arsim dhe shëndetësi dhe i ndihmojnë qytetarët të gjejnë punë më produktive, në mënyrë që të mund të jenë të zotët e së ardhmes së tyre dhe ta nxjerrin veten nga varfëria.

Skema e ndihmës sociale mbulon vetëm rreth shtatë për qind të popullsisë dhe kjo është dukshëm nën normën e varfërisë sipas vlerësimit tonë për Kosovën. Sistemi i mbrojtjes sociale në Kosovë është vënë nën presion të ndjeshëm, si rezultat i goditjeve të shumta me të cilat është përballur vendi në vitet e shkuara. Kriza e fundit vuri në pah cenueshmëritë e sistemit aktual të Kosovës dhe nevojën për të rritur efiçiencën e tij, për të përmirësuar ndikimin që ka ndaj varfërisë dhe ndikimin rishpërndarës.

Pasi të reformohet skema e ndihmës sociale, sistemi i bazuar në statusin e varfërisë do të duhej të bëhej parim i reformës për gamën e gjerë të skemave të transferimeve, të cilat të gjitha financohen nga tatimpaguesit kosovarë. Këto fonde do të duhej të shkonin vetëm te qytetarët më nevojtarë.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Qeveria do të duhej t’i rriste pagat, duke pasur parasysh inflacionin në Kosovë? Tashmë pritet që Ligji për pagat [që parasheh rritje të tyre] të dalë në Kuvend.

Richard Record: Me hapësirë të kufizuar fiskale, Kosova do të duhej t’i peshonte me kujdes kostot dhe përfitimet e zotimeve të reja për shpenzime, si reagim ndaj çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimit, dhe t’i trajtonte me prioritet familjet e cenueshme. Vendimi për pagat është vendim i politikës fiskale dhe do të duhej të shkëputej nga Ligji për pagat, pasi ky i fundit do të duhej të fokusohej në reformën e sistemit të kompensimit – i cili aktualisht mbetet shumë i fragmentuar, për shkaqe të ndryshme, përfshirë një mori shtesash – me qëllim rritjen e produktivitetit dhe efektivitetit brenda administratës publike.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe pagën minimale prej 264 eurosh bruto, ose 250 euro neto. A mendoni se mjafton?

Richard Record: Sfida kryesore për Kosovën, ndoshta sfida më e rëndësishme, është krijimi i më shumë vendeve të punës dhe i vendeve të punës më të mira për popullin e Kosovës. Tregu i punës vazhdon të reflektojë dobësi kronike, me pjesëmarrje të ulët të fuqisë punëtore – veçanërisht në mesin e grave – si kufizim detyrues kyç për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë.

Në anën tjetër, përkundër rritjes inkurajuese, sektori privat i Kosovës ende nuk po gjeneron vende pune mjaft cilësore. Dhe, ka mospërputhje serioze ndërmjet kërkesës dhe ofertës për punë. Kjo do të thotë se nevojiten reforma në të dyja anët e ekuacionit, për të reduktuar barrierat që i pengojnë qytetarët, veçanërisht gratë, të marrin pjesë në tregun e punës dhe për të lehtësuar nivele më të larta të investimeve private. Kjo ka të ngjarë të jetë mënyra më e mirë dhe më e qëndrueshme për të rritur pagat në planin afatmesëm.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ekzekutivi i Kosovës ka bërë mjaftueshëm për t’i ndihmuar qytetarët duke subvencionuar faturat e energjisë elektrike… A do të jetë e nevojshme kjo edhe në të ardhmen?

Richard Record: Ashtu si pjesa tjetër e Evropës, Kosova aktualisht po përjeton një goditje të dyfishtë nga inflacioni dhe situata energjetike, gjë që po dëmton bilancin fiskal të Qeverisë. Kjo krizë është shumë e paparashikueshme dhe autoritetet duhet të ruajnë gatishmërinë për reagim, veçanërisht në kontekstin e dy dimrave të ardhshëm.

Në këtë kontekst, ne pamë që masat e fundit të efiçiencës së energjisë krijuan kërkesë të konsiderueshme. Si në aspektin e mbështetjes, ashtu edhe në aspektin e hartimit të buxhetit kapital, mundësitë për të nxitur efiçiencën e energjisë do të duhej të shfrytëzoheshin plotësisht dhe të shkallëzoheshin bazuar në mësimet e nxjerra. Ka shumë masa shtesë që mund të mbështesin si zbutjen e krizës së dyfishtë të inflacionit dhe situatës energjetike, ashtu edhe nevojat afatgjata të Kosovës për efiçiencë, duke përfshirë izolimin, ngrohjen, transportin urban dhe ndërurban, energjinë e ripërtëritshme.

Radio Evropa e Lirë: A e përkrahni edhe një tërheqje të kursimeve pensionale?

Richard Record: Kosova do të duhet t’i trajtojë me prioritet familjet e cenueshme. Duke marrë për bazë shpërndarjen e kursimeve të tanishme të Trustit [pensional] dhe duke pasur parasysh mbizotërimin e presioneve të inflacionit nga ana e ofertës, masa e propozuar për të lejuar një raund të dytë të tërheqjeve të konsiderueshme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, do të ishte regresive, do ta rrezikonte qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit të pensioneve dhe do ta nxiste edhe më tej inflacionin.

Masat në përgjigje ndaj inflacionit duhet të jenë të shënjestruara dhe me afat të kufizuar kohor. Përmirësimi i përmbushjes tatimore, futja e kriterit të varfërisë sipas të ardhurave në programet e mbrojtjes sociale, së bashku me ndërtimin e qëndrueshmërisë energjetike përmes investimit në burimet e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë, do të duhej të qëndronin në krye të agjendës së politikave.

Radio Evropa e Lirë: Eksporti i produkteve të Kosovës vazhdon të mbetet në nivel të ulët. Si mund të ketë rritje kundrejt vlerës së lartë të importeve?

Richard Record: Në fakt, Kosova shënoi normën më të shpejtë të rritjes së eksporteve në Ballkanin Perëndimor në vitin 2021 gjatë rimëkëmbjes nga pandemia. Megjithatë, kjo rritje vjen nga një bazë e ulët. Për të ngushtuar hendekun me vendet e krahasueshme të BE-së, duhet bërë shumë më tepër për të përshpejtuar rritjen e eksporteve.

Nëse shfrytëzohen me kujdes përparësitë e Kosovës, si popullsia me moshë të re, afërsia me një treg të madh, që është i begatë por duke u vjetruar, konektiviteti i mirë digjital, kostot e ulëta të krahut të punës, sektori financiar elastik dhe likuid, si dhe lidhjet e forta me diasporën, ato mund ta çojnë Kosovën drejt standardeve më të larta të jetesës, më shpejt.

Kjo kërkon kalimin në një model të rritjes që përdor më mirë potencialin e kapitalit njerëzor të Kosovës – duke u mundësuar firmave dhe fermave të rriten dhe të rrisin produktivitetin e tyre, për të maksimizuar kthimin nga investimet në kapitalin fizik – dhe që shfrytëzon maksimalisht konektivitetin e mirë përmes eksporteve, konkurrencës së shtuar dhe më shumë investimeve të huaja.

Firmat e Kosovës duhet të operojnë në nivele më të larta të efiçiencës, me përpjekje më të thella për të hequr barrierat rregullatore, për të siguruar alokim efiçient të burimeve të pakta financiare dhe natyrore dhe për të përqafuar digjitalizimin. Institucionet e kapitalit njerëzor duhet ta transformojnë në mënyrë më efektive popullsinë e re të Kosovës në një fuqi punëtore produktive.

Dhe vetëm duke përmirësuar tregtinë dhe konektivitetin, duke forcuar konkurrencën në treg dhe duke promovuar investime të cilësisë së lartë, Kosova mund të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron vendndodhja e saj. Në fund, kërkesë themelore për rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse është një mjedis makroekonomik i qëndrueshëm dhe sundimi efektiv i ligjit.

Radio Evropa e Lirë: Sa janë reale shifrat e Qeverisë për hapjen e vendeve të reja të punës?

Richard Record: Në Kosovë, informacioni mbi tregjet e punës është i pakët, për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të të dhënave. Megjithatë, të dhënat administrative për gjysmën e parë të vitit 2022 tregojnë se ka përshpejtim të punësimit formal dhe trend në rënie të papunësisë së regjistruar.

Kjo reflektohet në një rënie prej 32 për qind të numrit të punëkërkuesve të regjistruar në qendrat e punësimit në Kosovë. Megjithatë, tregu i punës vazhdon të karakterizohet nga pabarazi të ndjeshme gjinore, ku norma e punësimit është 44 për qind për meshkujt dhe 16 për qind për femrat, dhe nga mospërputhje të aftësive dhe emigracion i krahut të punës.

Më tej, firmat raportojnë gjithnjë e më shumë vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës.

Radio Evropa e Lirë: Banka Botërore hapi zyrën e saj dy dekada më parë në Kosovë. A keni shifra për vlerën e investimeve që ky institucion ka bërë në Kosovë?

Richard Record: Që nga viti 1999, Banka Botërore ka ofruar dhe, ose, ka menaxhuar mbi 500 milionë dollarë amerikanë për të mbështetur zhvillimin në Kosovë, përmes rreth 50 operacioneve, përfshirë fondet e mirëbesimit.

Përpara anëtarësimit të Kosovës në Grupin e Bankës Botërore (WBG) në vitin 2009, operacionet financoheshin përmes granteve nga burime të ndryshme, kryesisht të ardhurat neto të Bankës Botërore, Fondi i Mirëbesimit për Kosovën, Fondi i Pas-Konfliktit dhe Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA).

Kosova gëzon të drejtën për financim nga IDA (me kushte të kombinuara) për shkak të statusit të pas-konfliktit. Në tetor të vitit 2022, portofoli aktiv i huadhënies nga IDA për Kosovën arriti në 379.55 milionë dollarë amerikanë në 11 projekte në fushat e energjisë, bujqësisë, ujërave, shëndetësisë, konkurrencës, financave, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ndihmës sociale dhe reformës së kadastrës.

Të ngjashme