Këtë të martë edhe zyrtarisht kanë filluar punimet për rregullimin e rrugës së fshatit Burrnik. Nga afër fillimin e punimeve e ka përcjellur numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruara edhe nga kandidatët për deputet të Parlamentit të Kosovës, Elmi Reçica, Mexhide Mjaku-Topalli si dhe Mustafë Grainca.
Me këtë rast Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, këtë projekt e ka cilësuar si njërin ndër projektet më madhore që po realizohet në fshatin Burrnik e që lidh edhe fshatrat tjera për rreth siç janë Gaçka e Gremja.
“Sigurisht që është një projekt i një rëndësie të veçante për arsyen se janë fshatra të braktisura këto, dhe përmes projekteve të tilla infrastrukturore, përbehet një komponentë e rëndësishme, apo më mirë për të themi përmbushen kërkesat e shumëfishta. E para për tu rikthyer banorët në pronat e tyre, në shtëpitë e tyre, për të ndërtuar jetë të re, por mbi të gjitha për të krijuar ekonomie familjare sepse këto zona paraqesin një rëndësi shumë te veçante turistike, si dhe nuk është shfrytëzuar ky potencial turistik dhe atë që paraqet kjo zonë. Kjo ka ndodhur për shkak që ka munguar infrastruktura themelore dhe përmes kësaj mbështetje financiare nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe përmes realizmit të këtij projekti po besoj që i shtohet rëndësia kësaj zone”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se ky projekt është zvarritur në mungesë edhe të fondeve dhe është neglizhuar për një kohë të gjatë.
“Jemi këtu po fillojmë punimet pas një kohe për arsye të mungesës së fondeve dhe ne sigurisht si qeverisje si kryetar komune kemi bërë përpjekjet maksimale për të siguruar fonde, sepse shpesh janë fituar projektet, por kanë munguar fondet e caktuara për të përmbushur dhe për të filluar projektet, dhe pas këmbënguljes sonë me ministrin Bedri Hamza, kemi siguruar fondet e mjaftueshme që të realizohet ky projekt. Mua me vjen mirë që sot kemi gëzuar gjithë këta banorë dhe që janë në numër jashtëzakonisht të madh, sepse e ndjejnë vendlindjen e tyre, e ndjejnë zonën ku kanë lindur dhe ku dëshirojnë të kthehen dhe të zhvillojnë aktivitete që i potencuam më lartë, dhe se ky projekt do të ketë një dinamikë të shtuar për faktin se e thash ma herët do të ketë fondet e mjaftueshme për tu kryer me kohë”, është shprehur Kryetari Aliu.
Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, para të pranishmëve ka thënë se me këto projekte po kthehet në zonat malore dhe turistike, duke përmendur kështu edhe rregullimin e rrugës së fshatit Kashtanjeve.
“Pra po kthehemi në zonat malore, në zonat turistike dhe ky nuk është projekti i vetëm, unë po besoj që shumë shpejt do të fillojmë edhe me projektin e rrugës për Kashtanjeve, që po ashtu paraqet rëndësi të veçante edhe për Ferizajn, sepse ju e dini që shumica e banorëve të Kashtanjevës, një fshati shumë të madh, janë të zhvendosur në Ferizaj, edhe ata e shohin pikërisht kthimin në vendlindjen e tyre më shumë për të zhvilluar turizmin, jo për të jetuar, por edhe për ndihmuar ekonomitë e tyre familjare dhe për të zhvilluar turizmin. Ne kemi bërë gjithë përpjekjet siç e thash jo vetëm që të figurojnë si projekte të kontraktuara, por të jenë projekte të realizuara përmes kodeve buxhetore , por që të jenë edhe mjetet në dispozicion, dhe përpjekje e imja ka qenë kjo që të kenë mjete këto dy projekte, por edhe projekti i Burrnikut dhe i Kashtanjevës që të ketë fonde të caktuara në mënyrë që të përfundojnë më kohë ”ka potencuar Kryetari Aliu.
Ndërsa Fatmir Neziri, përfaqësues i fshatit Burrnik, ka thënë se me këtë projekt po ju kthehet dinjiteti fshatit të tyre. Ai tha se ky projekt është njëri ndër projektet më të rëndësishme që nga paslufta për këtë fshat.
U bë e ditur se kjo rrugë do të ketë një gjatësi prej 10 kilometra dhe me gjerësi prej 6 metrave. Vlera e këtij projekti kap shumën 1.4 milion euro.