Banorët e Grajqevcit të Suharekës të rrezikuar nga minat

Prishtinë | 12 Gus 2016 | 19:49 | Nga

Pas luftës në Kosovë, nga minat kanë vdekur 116 persona derisa lëndime kanë pësuar 550 veta.
Edhe pse është bërë punë e madhe nga KFOR-i e FSK-ja, ende ka zona të minuara, të cilat rrezikojnë banorët e zonës, raporton KTV.

Sabit Boka nga fshati Grejqevc i Komunës së Suharekës para 9 vjetësh, derisa po punonte tokën e tij, kishte shkelur një minë.

Si pasojë e kësaj, ai ka humbur njërën këmbë. Thotë se fshati i tij asnjëherë nuk është pastruar nga minat, as nga KFOR-i e as nga FSK-ja.

Në këtë fshat, janë 8 persona që kanë rënë në mina, të cilët kanë humbur gjymtyrë të ndryshme trupore. Zyrtarët komunalë të Suharekës pranojnë që ende ka vende të minuara në këtë komunë, por thonë se kjo është përgjegjësi e institucioneve qendrore.

E në Ministrinë e FSK-së tregojnë se nuk kanë pasur ndonjë informacion se në atë fshat ka zona të minuara, por thonë që do të hulumtojnë, përcjell Koha.net. Shoqata e të plagosurve nga minat, kanë paralajmëruar se më 7 shtator do të protestojnë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme