Banorët e izoluar të Janjevës ankohen se askush s‘po interesohet për ta

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Banorët e fshatit Janjevë të Komunës së Lipjanit kanë shprehur shqetësimet e tyre shkaku i kontaktit që kanë pasur me personin e konfirmuar si rast pozitiv me koronavirus.

Një banor i këtij fshati, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë për KOHËN se askush nuk është interesuar për ta dhe për gjendjen shëndetësore të tyre.

Pas izolimit të këtij fshati, banorët kanë shtuar se kanë mungesë të produkteve ushqimore, të nevojshme në këtë kohë krize për ta.

Por, sipas drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi, tashmë të gjithë personat e kontaktit me të infektuarin, janë identifikuar dhe se janë izoluar në shtëpitë e tyre.

N.K i cili ditë më parë u konfirmua me Covid-19, përmes telefonit ka treguar se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se ndodhet në Klinikën Infektive, e për të cilën është ankuar për mungesë të kushteve higjienike.

Pas paraqitjes së rastit të parë në Komunën e Lipjanit, zyrtarë të saj kanë marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Zyrtarë të Policisë, të hënën, kanë ndaluar persona të tjerë, që të hyjnë në fshatin Janjevë të Lipjanit.

Të ngjashme