Komuna e Junikut po vazhdon të ketë probleme me energjinë elektrike, shkruan Ekonomia Online.
Kjo komunë kishte nënshkruar një marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), në maj të vitit 2017 për rregullimin e rrjetit kryesor të energjisë elektrike.
Më 18 të këtij muaji është lëshuar në funksion linja Llukë-Junik, e cila ishte e stërngarkuar dhe e vjetërsuar, për shkak të së cilës furnizimi me energji elektrike në këtë territor ishte i dobët.
Pavarësisht kësaj marrëveshje dhe lëshimit në funksion të kësaj linje, junikasit ankohen për Ekonomia Online se po vazhdojnë te kenë probleme me energjinë.
Qytetari Afrim Shehu, ka thënë se reduktimet e rrymës edhe pas linjës së re nuk po ka efekt, sipas tij, banorëve nuk u ka mbetur asgjë tjetër pos të dalin në protesta.
“Komuna e ka mbajt shumë mirë, por ata të mëdhenjtë nuk po e di pse kështu me na lënë ne dhe kur të vjen fundi vijnë e i kërkojnë paratë. E paratë ne po iu japim, po rrymë nuk po ka. Atëherë çka me bë ne me ta. Vetëm me dalë e me bë protesta se ndryshe nuk kemi çka me bë”, u shpreh Shehu.
Ndërsa, Sylejman Pepshi, kërkon që komuna ta zgjidhë këtë problem në raport me KEDS-in sa më shpejtë.
“Me rrymë i kemi pas gjërat shumë të dobëta, deri tash. Tash kishe u rehatuam me të, qe sot a po e shihni, pa rrymë jemi prej gjysmës së natës e këndej. Ne kemi pas pengesa gjithmonë me rrymë, ne menduam se jemi tash të kënaqur për këtë rrymë që na është lëshuar, mirëpo prapë se prapë, qe 2-3 ditë nuk është lëshuar edhe mbrëmë nuk kemi pas deri tash”, u shpreh Pepshi për EO.
Por qytetari, Ismet Olluri, thotë se ka një përmirësim të gjendjes me rrymë, por sipas tij, reshjet atmosferike ka pasur probleme që kanë rrjedhur në reduktime të energjisë.
“Ka ndryshim pozitiv sepse është rritë voltazhi, deri para ni kohë ka qenë diku 150-170, ndërsa tash është 220. Pra, është një përparim i dukshëm”, pohoi Olluri.
Se ka problem me energjinë e konfirmon edhe kryetari i Junikut, Agron Kuçi.
Ky i fundit për Ekonomia Online tha se megjithëse rrjeti i ri është funksionalizuar, kapaciteti i energjisë elektrike nuk është i plotë.
“Është lëshu në funksion, megjithatë nuk është me kapacitet të plotë por është dukshëm më i mirë, përkundër reshjeve atmosferike shihet tensioni, rrjeti është më i mirë, por megjithatë nuk është në kapacitetin e plotë”, pohoi Kuçi.
Ai ka paralajmëruar ndërprerje të tërësishme bashkëpunimi me KEDS-in nëse vazhdon situata e njëjtë me energjinë elektrike.
“Jemi shumë të përkushtuar edhe pse të jem shumë i sinqertë nuk jam i kënaqur me angazhimin e KEDS-it, e shoh një partner disi i javashtë, shumë i javashtë. Përfundimisht ne do të ndërpremë çdo bashkëpunim, sepse Juniku vazhdimisht ka investu në rrjetin lokal. Mbi 85 për qind me buxhetin e vet vetanak e ka riparuar rrjetin lokal të energjisë elektrike”, shtoi Kuçi për EO.
I pari i komunës është shprehur se objektiv i radhës është të kenë një stacion të pavarur të energjisë elektrike, pasi thotë se ky rrjet nuk i plotëson nevojat e Junikut.
“Komuna e Junikut ka në objektiv të vetin që ta funksionalizoj një trafostacion të kapacitetit 110 ka 10, që është përgjegjësi e KOSST-it, sepse që të jemi një komunë me energji elektrike shumë të mirë për të gjitha ekonomitë familjare, për qytetarët, për bizneset, vlejnë sepse ky rrjet nuk i plotëson nevojat. Objektiv i Junikut është që të kemi të pavarur një stacion të energjisë elektrike”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se nuk do të ketë ndalesa të tjera të energjisë në komunën e Junikut.
“Juniku vetëm se është normalizuar. Linja kryesore veç është kry, ndalesa që ka pas për shkak të punimeve gjatë muajve të fundit, nuk do të ketë më, iu siguroj nuk do ketë më ndalesa të tilla”, pohoi Buzhala për Ekonomia Online.
Ai ka shtuar se do të ketë investime të reja sa i përket rrjetit të energjisë elektrike që do të zgjasin deri në vitin 2025 në tërë territorin e Kosovës.
“Deri në vitin 2025 parashohim që të stabilizohet komplet rrjeti në Kosovë, të jetë në standarde më të larta në krahasim me atë që e kemi trashëgu edhe pse jemi në flugun e investimeve të vazhdueshme jo vetëm aty por edhe në pjesë të tjera të vendit. Janë disa pjesë të tensionit të ulët të cilat janë paksa më problematike, ndonjë fshat aty-këtu, mirëpo edhe kjo do të rregullohet. Është premtim i yni, zotim i yni që edhe kjo të rregullohet”, tha Buzhala.
Prndryshe, problemet me energji elektrike, sipas banorëve të Junikut, kanë qenë evidente që nga pas lufta.