Banorët e Kievit “harrojnë” luftën, kalojnë fundjavën në plazh

Prishtinë | 14 Qer 2022 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Falë temperaturave të ajrit që shkuan deri në 34 gradë celsius, qindra qytetar të Kievit, e kaluan të shtunën e kaluar në plazhin kryesor të qytetit, shkruan “Daily Mail”.

Fotografitë e bëra në brigjet e lumit Dnieper tregojnë qytetarët e kryeqytetit ukrainas që vizitojnë plazhin kryesor të qytetit gjatë fundjavës për të notuar, luajtur volejboll, për t’u bërë banjë dielli dhe për të lexuar, duke harruar për pak kohë luftën apo edhe sa afër ishin të pushtoheshin nga rusët, apo edhe të vriteshin.

Pas nisjes së luftës në Ukrainës, Kievi u rrethua nga trupat ruse, por edhe pas një muaji përpjekje, nuk ia dolën të pushtojnë kryeqendrën e këtij vendi.

Granatime e vrasje si pasojë e tyre, pati shumë.

Mediumi ukrainas “Pravda” shkruan se Shërbimet e Shpëtimit të qytetit të Kievit janë aktualisht në kërkim të mjeteve shpërthyese në plazhet e qytetit dhe në fund të Dnieprit.

Më 8 qershor, zyrtarët e qytetit njoftuan se plazhi kryesor i qytetit dhe plazhi i Venecias ishin “të pastra” dhe se nuk ishte gjetur asnjë mjet shpërthyes. U tha se aksioni i pastrimit të hapësirave publike do të zgjasë dy javë.

Pasi mbrojtësit ukrainas zmbrapsën sulmet ruse ndaj kryeqytetit gjatë muajit të parë të luftës në Ukrainë, Kievi po e vëzhgon kryesisht “nga larg” pushtimin rus. Paqja relative që mbretëron në Kiev është përdorur nga qytetarët e saj për të vizituar kafene dhe restorante dhe, sa më shumë të jetë e mundur, për të jetuar normalisht.

Në fakt, shoqërimi dhe festat duhet të përfundojnë deri në orën 23:00, kur nis ora policore, megjithëse autoritetet e rendit në shumë raste lejojnë lëvizjet edhe përtej këtij orari.

Të ngjashme