Rreth një mijë banorë të fshatit Rahovicë të komunës së Ferizajt prej disa vjetësh po përballen me mungesë të infrastrukturës rrugore, mungesë të ndriçimit e kanalizimit.
Sipas banorëve komuna disa vjet më parë ka vendosur rrjetin primar të kanalizimit, mirëpo asnjëherë nuk ka funksionuar si pasojë e punimeve jo cilësore. Po ashtu sipas banorëve, komuna ka shpërfillur edhe kërkesat e banorëve për asfaltim të disa rrugicave.
Në komunën e Ferizajt kanë thënë se brenda një të ardhme të afërt do të fillojnë punimet për riparimin e rrjetit të kanalizimit dhe asfaltimin e rrugicave. Brahim Osmani, përfaqësues i fshatit Rahovicë, ka thënë se banorët po përballen me telashe të rrjetit të kanalizimit pasi që shumë familje nuk janë të kyçura në rrjetin primar i cili është ndërtuar shumë vjet më parë.
“Çështja e kanalizimit është premtim shumëvjeçar nga qeverisjet e kaluara. Kemi telashe me ndriçim publik dhe po ashtu rrugicat kanë mbetur pas dore të cilat po e vështirësojnë qarkullimin e qytetareve. Kemi pasur premtime edhe për rregullimin e rrugëve nëpër parcela bujqësore, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.
Edhe bashkëfshatari i tij, Samet Syla, ka thënë se gjatë ish-qeverisjes së kaluar ka filluar asfaltimi i rrugëve brenda fshatit, mirëpo projekti është zvarritur deri tash.
“Derisa iu gëzuam investimeve, ato u ndërprenë në gjysmë të lagjeve. Ne kërkojmë që kërkesat tona për të cilat është e njoftuar edhe komuna të merren parasysh sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës në komunën e Ferizajt ka thënë se janë duke i shikuar mundësitë buxhetore në mënyrë që rregullimi i kanalizimit dhe asfaltimi i rrugicave në këtë fshat të nisë gjatë këtij viti , raporton Koha.
“Zvarritja ka ndodhur për shkak të ndërrimit të qeverisë pasi që kemi pasur disa projekte me ministrinë e infrastrukturës. Sidoqoftë në të ardhmen e afërt po besojmë se do të investojmë në këtë fshat ashtu siç jemi duke investuar edhe në fshatra të tjera në projekte që janë me prioritet”, ka thënë Bytyqi.