Dhjetëra banorë të fshatit Shipitullë të Obiliqit, kanë protestuar të martën para zyrës së Korporatës Energjetike të Kosovës lidhur me shpronësimet e tokave që i ka kryer KEK-u, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i fshatit, Musli Mjeku ka deklaruar për media se nuk janë ardhur me dhunë e as për ta sulmuar dikë.
Sipas tij, që një muaj e gjysmë nuk kanë përgjigje nga zyrtarët e KEK-ut.
“Ne nuk jemi ardh me dhunë, nuk jemi ardh me bë kurrgjë. Nuk jemi ardh me sulmu askënd, vetëm për të treguar që e kemi një kërkesë të kamotshme. I kishim lut dikush nga KEK-u të del me na dhënë një përgjigje, pse që një muaj e gjysmë nuk na ka dhënë përgjigje. Me të 24-tin kemi bërë kërkesë, nuk kemi përgjigje as pozitive as negative por te dimë nga të shkojmë. Për në fshatin Shipitullë e dinë edhe bota se kanë marr informata. Ju kisha lut le të pranon dikush të flet ndonjë zyrtarë i KEK-ut”, tha Mjeku
Qytetari Shemsi Mjeku, u shpreh i shqetësuar sepse sipas tij, fshati Shipitullë është bërë e pa banueshme.
“Kërkesa jonë e vetme është me na me shpronësu tokat të kryera për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës. Nuk ka kush që jeton në atë vend, në atë ajër të ndotur, ujë nuk ka në momentin kur gërmon uji ndotet kushte për jetesë nuk ka. Kërkesa jonë është vetëm me na shpronsu ato toka, presim përgjigje pozitive”, u shpreh ai.
Ankesa pat edhe qytetari Halil Mjeku, krijohet shumë zhurmë dhe pluhur nga KEK-u dhe se rrugët janë bërë të pa kalueshme për shkak të mungesës së distancës ndaj shtëpive dhe kësaj korporate.
“Jemi dalë sepse kemi shqetësimin e tokave te cilat po përdorët për KEK-un, kemi zhurmë, pluhur. KEK-u i ka shkel rregullat civile që me mbajt distancën në mes shtëpive përndryshe e kanë shpronësu krejt tokat nuk kemi as ku me kalu. Na e kanë mbyll rrugën jo vetëm neve por të gjithëve që kalojnë nga Obiliqi. Kemi mbet si oazë”, tha ai.