Banorët shqiptarë të fshatit Shushicë të Komunës së Graçanicës po ndihen të anashkaluar nga institucionet lokale. Ata thonë se prej që ka ardhur në pushtet Lista Serbe, asnjë investim nuk është bërë aty, shkruan sot Koha Ditore.
Agim Krasniqi, i cili para se të vinte në pushtet LS-ja kishte qenë këshilltar komunal nga radhët e LDD-së dhe zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal, ka theksuar se kur në pushtet kanë qenë liberalët ka qenë krejt ndryshe. Sipas tij, më së keqi në këtë fshat është rruga që është shumë e ngushtë, e dëmtuar dhe pa trotuar.
“Prej që ka ardhë Lista Serbe qe dy mandate për shqiptarët në Shushicë kurrgjë nuk është punua. P.sh. rruga është shumë e ngushtë, është çarë dhe nuk ka trotuare. Nxënësit shkojnë këmbë dhe e kanë të vështirë nga të ecin, pasi trotuar nuk ka, rruga është e ngushtë dhe është rrezik nga veturat kur kalojnë aty, të cilat mundohen t’i ikin gropave”, është shprehur ish-zv.kryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Agim Krasniqi.